Wednesday, December 19, 2007

Vlerësim për romanin "ROBÊR TÊ PAQES"

Fragment kritike letrare

...Figura e hijes që përndjek Ramush përndjekësin dhe elemente të tjera të së magjishmes si episodi i përshkrimit të ngrehinës së Ferrit, apo episodi i kthimit pas në kohë ku realizohet takimi i Kadaresë me mbretin Piro të Epirit, etj., të sjellin ndërmend atmosferën e magjishme që gjallon në eposin popullor çam dhe njëkohësisht të kujtojnë se sa me mjeshtëri i shfrytëzon autori Shefki Hysa të tilla gjendje ëndërrore në krijimtarinë e tij, duke shkrirë mrekullisht si me magji realen me irealen, jetën e vërtetë me ëndrrat e personazheve, duke u bërë kështu përfaqësuesi tipik i një lloj rryme të re të realizmit magjik me karakteristika nga më shqiptaret, disi i ngjajshëm me realizmin magjik që karakterizon veprën e Gabriel Garcia Markezit…

Ramush Kaleci është prototipi i ndjekësit, spiunit, i zagarit që i vete pas "gjahut" të vet dhe e persekuton derisa i bën gjëmën. Në një mënyrë të tillë ai ndjek edhe Kadarenë kur vjen në qytetin jugor bregdetar gjoja "për ta ruajtur", por në të vërtetë edhe për ta survejuar se ç’bën e me kë rri ai. Interesante në roman është edhe historia "e vjedhjes" së librit të Kadaresë që në fund përfundon në një blof për Ramushin dhe ky demaskohet përfundimisht.

Vepra e Shefki Hysës dallohet për një stil të zhdërvjellët e energjik, për një gjuhë të pastër, për një dialog të gjallë e tërheqës e për imtësi shprehëse të gjetura të cilat në tërësi e bëjnë të lexohet me interes e kërshëri nga ata lexues që kanë kërkesa të mësojnë sa më shumë nga ajo periudhë e zymtë e historisë sonë, nga koha kur sundoi diktatura komuniste.

Sokol Jakova

No comments: