Thursday, December 13, 2007

VLERÊSIM

…Galeria e personazheve të romanit "Parajsa e mallkuar" e Shefki Hysës është e pasur.
Autori ka mundur që përmes mjeteve të larmishme artistike të individualizojë secilin prej tyre.

Tanimë, pas kaq vitesh, me një formim e përvojë të lakmueshme në mjeshtrinë artistike, e cila spikat edhe në veprat e tij të mëparshme, ai ka realizuar figura të tilla si Babëloku, ky përbindësh i vërtetë, që për mendimin tonë, nuk hasen shpesh në letërsinë e sotme shqiptare.
Jo më kot autori në vepër e vë në fokus të analizës artistike figurën e Babëlokut pas disa kapitujsh të romanit.

Kjo gjetje të kujton dhe përqaset mirëfilli me Uriah Hipin e Dikensit, të cilin autori e përball me lexuesin pas kapitujve të parë të "David Koperfildit".

Te "Parajsa e mallkuar", pasi shfaqet, Babëloku vihet në epiqendër të pjesës së mbetur të romanit…

…Pra, nëpër realitetin artistik të veprës fryjnë jo rrallë erërat e një rryme që të sjell ndërmend elementet e një realizmi magjik si në veprat e Markesit.

Me një stil lakonik, herë-herë si të një proze poetike, e herë-herë edhe me ngjyresë publicistike, karakteristikë e prozës së sotme bashkëkohore, shkrimtari Shefki Hysa arrin të na japë në roman plot figura artistike e një mjedis të gjallë e të zymtë të jetës dhe punës së vështirë në qytezën e minatorëve, që të mbeten ndër mend…

SOKOL JAKOVA