Thursday, December 13, 2007

SHEFKI HYSA
Për fisin dhe veten


U lind në Ersekë më 20 korrik 1957 në një familje intelektuale.

Babai i tij, Mazari, ishte mësues me vllehtë atë periudhë dhe ndiqte shtegtimin e tyre baritor, veronte në malet e Gramozit të rrethit të Kolonjës, me qendër Ersekën, dhe dimëronte në Sarandë, duke mos iu ndarë shkollimit të fëmijëve çobanë.
Familjarisht banonte në Shalës të Konispolit.

Nëna e Shefkiut, Bahrieja, ishte shtëpiake dhe shtegëtonte përkrah të shoqit që të kujdesej për familjen.

Shefkiu i përket një fisi të vjetër atdhetar të vendosur në Shalës të Konispolit rreth shekullit të 18-të, ndoshta në periudhën e muslimanizimit të kësaj krahine, sepse cilësohet si një ndër shtatë fiset e para themeluese të fshatit Shalës, sipas kujtesës popullore. Vetëkuptohet ishin fis i pasur, merreshin me blektori dhe bujqësi, kishin shumë pyje, kullota dhe toka buke, rrjedhimisht do të ishin dhe atdhetarë dhe do ta mbronin edhe me gjak shtëpinë e tyre, Atdheun – Çamërinë, nga synimet aneksuese të shovinistëve grekë.

Gjyshi i Shefkiut, atdhetari i shquar Shefki Hoxha (ishin edhe fetarë brez pas brezi prandaj mbanin edhe mbiemrin "Hoxha"), njihet si një ndër themeluesit e klubeve të para atdhetare të Konispolit dhe të Filatit, si financues i shkollave të para shqipe në zonën e Çamërisë (në Konispol, Filat e Gumenicë), dhe si kundërshtar i ashpër i të gjitha pushteteve, si me atë turk edhe më vonë me pushtetin mbretëror të Zogut.

Në vitet 20-të Shefki Hoxha u shqua si demokrat, përkrahës i Nolit dhe i qeverisë së tij reformiste, pavarësisht nga fakti se mund t’i prekeshin pasuritë. Ishte kjo një nga arsyet që u burgos nga Zogu. Madje për këtë arsye poeti popullor i zonës këndonte:

"Telegramet venë e vinë,/ të ngrenë xhandarmërinë,/ thonë për një rebelim,/ Çamëria s’iu bindka Mbretit,/ Naltmadhnisë së Tij Ahmetit./ Në Shalës muarr Shefkinë,/ në Konispol Maze Haminë/ dhe Xhafo Pandalejmoninë"…

Shefki Hoxha u sëmur në burgun e Lezhës dhe në vitin 1936 vdiq, si pasojë e lëngatave të burgimit.

Babai i Shefki Hysës, Mazari, u përndoq si antikomunist nga diktatura, pavarësisht se shtëpia e tyre në Shalës ishte mbështetja kryesore e luftës, bazë partizane. Në vitin 1960 Mazarin e larguan nga arsimi, për shkak të vëllait të tij nacionalist, Sadedinit, të pushkatuar pa gjyq nga komunistët më 13 nëntor të vitit 1943 në spitalin partizan të Theollogos.

Pra, më në fund familja e tyre ishte përfshirë nga mekanizmi i verbër i luftës së klasave, gjë që e cënoi rëndë edhe Shefkinë, pas vdekjes së babait, Mazarit, në vitin 1976.
Mazar Hysa, babai i Shefki Hysës, u nda nga kjo botë me shijen e një jete të hidhur në buzë. Megjithatë Shefkiu arriti të mbijetonte, falë genit që trashëgonte nga të parët e fisit.

Shkollën fillore e tetëvjeçare i kreu në fshatin Shalës të Konispolit.

Shkollën e mesme bujqësore e filloi më 1972 dhe e përfundoi më 1976 në Konispol të krahinës së Çamërisë. (Pushteti komunist i asaj kohe e dërgoi me detyrim në shkollën bujqësore, jo në gjimnaz, për shkak të biografisë së "keqe", si fis me origjinë prej shtresave klasore të pasura antikomuniste dhe për faktin e xhaxhait të tij, Sadedinit, nacionalis i pushkatuar politik).

Pas dhjetë vjetësh përpjekjesh xheklondoniane në vitin 1985 arriti të siguronte një të drejtë studimi për letërsi në Univeristetin e Tiranës. Ishte këmbëngulja e shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli, i cili nga pozitat e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, si dhe në disa raste të tjera, si edhe në rastin kur i hoqën të drejtën e botimit poetit Namik Mane, iu imponua strukturave të pushtetit totalitar për të rishikuar biografinë e Shefkiut, që t’i jepej e drejta e mohuar për të studiuar në Universitet.

Në vitin 1989 u diplomua për gjuhë-letërsi në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ndërkohë vazhdonte të shkruante dhe botonte tregimet e para dhe publicistikë.

Pra, më në fund Shefki Hysës i ishte vlerësuar talenti prej prozatori me individualitet krijues të spikatur, siç shprehej kritika për tregimet e tij të para lirike të mirëpritura nga opinioni letrar dhe lexuesit.

"Tregimtari im i dashur, me vrojtime të çuditëshme dhe ndjenja të holla; shkrimtar i çmuar gjithmonë nga unë e të tjerët", kështu shprehej Dritëroi entuziast për të ardhmen letrare të Shefkiut dhe nuk do të zhgënjehej.

Gjatë viteve 1991-97 ka punuar si gazetar në gazetën "Çamëria" dhe kryeredaktor në gazetat "Kombi" e "Dielli".

Ndërkaq ka kryer disa specializime në fushën e gazetarisë, botimeve dhe të marrëdhënieve publike e ndërkombëtare.

Që nga viti 1997 vazhdon të punojë në Administratën e Kuvendit të Shqipërisë.

Ka themeluar dhe vazhdon të drejtojë Shoqatën Kulturore "Bilal Xhaferri" dhe Shtëpinë Botuese "Bilal Xhaferri".

Është sekretar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Ka botuar "Turtullesha dhe djalli", tregime (1992), botim i shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri".
"Robër të paqes", roman (1994), botim i shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri".

"Parajsa e mallkuar", roman (1997), botim i shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri".
"Rrëfimet e një hajduti", tregime (1999), botim i shtëpisë botuese "Arbëria".

"Aromë Çamërie", tregime (2004), botim i shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri", ISBN 99927-960-1-4

"Mrekullitë e rreme", tregime (2005) botim i shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri", ISBN 99927-960-0-6

Redaktor i "novelës" Lavirja e denjë për respekt" (1992), e shkrimtarit Zhan Pol Sartri.
Redaktor i romancës "Dashuri fatale" (1992), e shkrimtarit Alfred de Myse.

Redaktor i romancës "Dashuri e përgjakur (Përtej largësive)" (1992), e shkrimtarit Bilal Xhaferri.

Redaktor i romanit "Krasta Kraus (Ra Berati)" (1993), i shkrimtarit Bilal Xhaferri.

Redaktor i novelës "Kur dynden vikingët" (1993), e shkrimtarit Pjetër Arbnori.
Redaktor i romancës "Bukuroshja me hijen" (1994), e shkrimtarit Pjetër Arbnori.

Redaktor i vëllimit poetik "Pjergulla e lotëve" (1995), i poetit Namik Mane.
Redaktor i vëllimit me tregime "Një natë e zakonshme" (2003), i autorit Namik Mane.

Redaktor i romanit "Me putrat tona shetitëm botën" (2007), i shkrimtares Xhulia Xhekaj, etj., etj., botime e redaktime letraro-publicistike të vetat dhe të të tjerëve nga më të larmishmet.

Që nga viti 1995 vazhdon të botojë dhe të drejtojë si botues dhe Kryeredaktor të përmuajshmen "Krahu i Shqiponjës", revistë Politike, Kulturore, Letrare dhe Shoqërore, e botuar për herë të parë më 1971, në dy gjuhë, shqip e anglisht, si organ i Lidhjes Çame, në Çikago të SHBA.

Themelusi, botuesi dhe drejtuesi i saj i parë ishte Bilal Xhaferri, poet, prozator dhe publicist i shquar disident, i cili u lind më 2 nëntor 1935 në Ninat të Konispolit dhe pas një veprimtarie të madhe letraro-publicistike, vdiq në mërgim (i arratisur nga Shqipëria më 1969 si nacionalist antikomunist) më 14 tetor 1986 në Çikago të SHBA.

"Krahu i Shqiponjës" ishte një tribunë e mendimit të lirë demokratik me prirje thellësisht antikomuniste, antidiktatoriale e antienveriste, që synonte bashkimin e tërë forcave politike shqiptare në mërgim, unifikimin e mendimit, programeve dhe qëllimeve të tyre për një Shqipëri të Lirë Properëndimore.

Në faqet e revistës trajtoheshin gjerësisht problemet kombëtare shqiptare, veçanërisht çështja çame, problemi i Kosovës, i territoreve të tjera të mbetura jashtë trungut amë, Shqipërisë, si dhe problemet e komuniteteve shqiptare nëpër botë e të Diasporës.
Bilal Xhaferri arriti të botonte 39 numra.

Që në vitin 1995 e në vazhdim "Krahu i Shqiponjës" vazhdon të botohet në Tiranë, si organ i Shoqatës Kulturore "Bilal Xhaferri" (Komuniteti Kulturor i Çamërisë) themeluar e drejtuar prej gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Shefki Hysa, i cili inicoi rikthimin në Shqipëri të eshtrave të Bilal Xhaferrit si dhe lartësimin e vlerave të jashtëzakonshme të kësaj figure të rallë të nëpërkëmbur e të flakur në harresë prej ish diktaturës komuniste shqiptare.

Shefki Hysa, në cilësinë e Botuesit dhe Kryeredaktorit të kësaj reviste të përmuajshme, me kontributet e veta dhe të miqve të tij, ka arritur të nxjerrë më shumë se 80 numra dhe vazhdon me këmbëngulje ta mbajë lart këtë piedestal të mendimit të lirë në vazhdën e idealeve të Bilal Xhaferrit.

Ideali i tij: Çamëria dhe Shqipëria etnike.