Sunday, February 24, 2008

GOMARËT

Kalendari i tryezës shënonte vitin 2013. Ishte një vit i mbrapshtë, i rrëmujshëm si para njëqind vjetësh, por Rrapush Kalemi nuk ia kishte ngenë rrëmujës së vendit, se ndihej i shokuar nga rrëmuja në kokën e tij.

Për çudi, në ëndrra, çdo natë e shihte veten të shndërruar në gomar. Megjithatë, edhe sikur qenia e tij të hynte vërtet në lëkurën e asaj kafshe shtëpiake, ai prapë s'do ta besonte. E si mund të besohej diçka e tillë?!... Ishte Njëshi i Stafit Presidencial... Mund të thoshe se vinte drejt pas Presidentit në shkallën hierarkike. Nëpunësit i trembeshin më shumë atij se sa vet Shkëlqesisë së Tij, Presidentit. Jo, Rrapushi as nuk mund të ishte dhe as nuk mund të bëhej ndonjëherë katërkëmbësh, pavarësisht nga ajo ndjesi e pashpjegueshme që e rrëmbente netëve dhe e lëshonte në botën e ëndrrave në trajtën e një gomari...

Po, po, gomar... Veshëgjatë siç e emërtonte ndryshe populli... Një gomar i pashëm me një qime të shndritshme ngjyrë gri që ta kishte ënda t'ia kalëroje... Ç'thoshte dhe ai!... Më saktë ç'mendonte se të tilla vegime nuk guxonte t'ia pohonte as vetes dhe jo më t'ua shprehte të tjerëve... Do të thoshnin se u çmend Rrapushi dhe lajmi sakaq do të merrte dhenë... Mos ishte çmendur vërtet dhe nuk po e kuptonte?!... Jo! Kurrsesi jo! Vetëm se ishte bërë disi maniak pas një ideje fikse... idesë së të qenurit gomar... Po kjo nuk nënkuptonte se ai ishte i marrë... Të jesh rob i një manie, me sa dinte ai, nuk është marrëzi... Le që se mos ishte vetëm ai maniak... Kishte vënë re se edhe miqtë e të njohurit e tij, madje edhe të panjohurit, i kategorizonin punonjësit e administratës publike në gomarë dhe kuaj... Mos vallë kjo do të thoshte se ishin marrosur tërë njerëzia?... Jo!... Diku gjetkë flinte lepuri...

Mos vallë mania e tij ishte pasojë e ndonjë goditjeje në trurin e vogël?... Se ç'është e vërteta kishte rrëshqitur nja dy herë në parketin e lëmuar të sallave presidenciale dhe ishte goditur prapa koke... Madje një herë, kur e kërkonte Presidenti, në nxitim e sipër, ishte rrëzuar edhe nga shkallët... Një herë tjetër kishte përplasur kokën keqas te abazhuri i fildishtë i tryezës së punës në zyrën e Presidentit... Eh, mor eh!... Plot kusure... Nuk kishin të mbaruar hallet e tij në marrëdhëniet me Presidentin... Dihej nga të gjithë që Shkëqesia e Tij ishte njeri i vështirë...
Nejse... Në ëndërr i përhihej vetja një alamet gomari trupmadh, i shëndetshëm e i fuqishëm si një kalë hamshor... Me një fjalë gomar pelash, kështu e quanin në fshat atë mashkull, i cili zgjidhej që kur ishte i vogël, kërriç, e ushqehej si jo më mirë për t'u bërë baba i mushkave... Domethënë për të mbarsur pelat dhe ato të pillnin atë hibridin, që nuk ishte as gomar e as kalë, as femër e as mashkull... ishte thjesht mushkë, mushkë xanxare e fortë dhe e papërmbajtshme, si në ato poemat e Dritëroit... Pra, Rrapushi e përfytyronte veten natë për natë si gomar... Gomar i fismë, jo si dokudo... Se Rrapushi, prej hallit, edhe sikur të duhej të pranonte që ishte gomar, vetëkuptohet nga e keqja, nëse e detyronin rrethanat biologjike për t'u shfaqur dikur me fytyrën e asaj së gjorës kafshë, prapë do të dinte të zgjidhte... O do të ishte gomar për të qenë, o hiç fare... Pra, gomar xanxar... Se ai, edhe në punë, xanxar ishte... Shef xanxar, që ia kishin frikën të gjithë vartësit... po aq sa ç'dridhej ai para Shkëlqesisë së Tij, Presidentit...

Shtatë palë djersë i rridhnin Rrapushit para Tij. Ato çaste kur duhej të përballej me Shefin e vet më mirë të shndërrohej i tëri në djersë, të rridhte e ta thithte tapeti, se sa të tkurrej e të tkurrej prej atij lumi të sharash presidenciale. Nuk i hiqej nga mendja ajo ditë e zezë kur Shkëlqesia e Tij, para një viti, kishte sokëllitur si Luan dhe atë, Rrapushin, Njëshin e Stafit Presidencial e kishte emërtuar gomar. Dhe pikërisht në sytë e atij liliputit, atij gishtos, atij nëpunësit më të vogël të stafit... I vogël në trup dhe në detyrë...

- Gomar! Gomar me G të madhe! Gomar kokë e këmbë, kështu je ti... Gomar dhe s'e luan as topi... Gomar... Gomar... Gomar..., - vazhdonte të ulërinte Presidenti dhe ulërimën e përsëriste edhe më fuqishëm zyra.

- Si urdhëron zoti President! Jam Gomar e s'e luan as topi, - kishte përsëritur instiktivisht Rrapushi i ndrydhur prej atij sulmi presidencial të paparë ndonjëherë.
- Mirë që e kuptove, më në fund, - shfryu Shkëlqesia e Tij dhe befas u çel në fytyrë dhe qeshi e qeshi aq sa ajo zyrë madhështore, që mezi mund ta mbushte oshëtima e një burie luftarake, jehoi e jehoi rishtas.

Rrapushi ishte tërhequr praptas dhe, ashtu i mbledhur si miush, kishte dashur të rrëshqiste jashtë derës dhe të mbyllej me vrap në zyrën e tij, siç bënte zakonisht pas të tilla rrebesheve, por Presidenti e ndaloi. Me sa duket nuk e kishte zbrazur ende dufin e vet. Kjo do të thoshte se kishte vendosur t'i jepte një mësim të mirë. Dhe furtuna do të vazhdonte. Një furtunë e gjatë, mbresat e liga të së cilës ndoshta do të gdhendeshin përgjithmonë në kujtesën e tij... Rrapushi psherëtiu shpinëpërkulur si skllavi në pritje të kamxhikëve ndëshkues të padronit të vet...

Dhe vërtet ndëshkimi i asaj dite nuk po i shqitej më ndërgjegjes së Rrapushit. Po mbushej viti, do të kalonin edhe shumë të tjerë, mbase e gjithë jeta dhe atij do t'i përfytyroheshin edhe në gjumë të përqeshurat e mallkuara të asaj dite dimërake...

Rrapushit i kujtohej se, pasi i ishte hakërruar Floririt, si të ishte ai shkaku i atij dushi që i dha Presidenti, ishte strukur në zyrën e vet luksoze, duke vrarë mendjen të kuptonte se ç'kishte ndodhur. Mirëpo trurin e kishte ende të çoroditur. Si e mblodhi paksa veten i ra telefonit dhe thirri urgjent shefen e bibliotekës për të sjellë fjalorin më të madh të gjuhës shqipe, atë më të trashin me kapakë të kuq. Kërkoi atë më të madhin për të qenë i sigurt që e përmbante fjalën gomar. Le ta mësonte prej fjalorit kuptimin e saktë të asaj fjale. Të njihej me kuptimin e saj shkencor. Se jo më kot Presidenti e kishte cilësuar gomar. Ai patjetër që do ta kishte ndonjë dhunti prej asaj kafshe... Shkëlqesia e Tij kurrë nuk gabon...

Rrapushi u fry në çast, u ngërdhesh në fytyrë dhe ulëriti fort si këlysh luani, kur u dha në derë shefja e bibliotekës, aq sa asaj të gjorës i shpëtoi fjalori nga dora dhe i ra mbi këmbët e tij. Ulëriu edhe më fort prej dhembjes, duke u munduar të merrte pozën e Presidentit. Le ta dinte ajo, femëruçka, se Njëshi ishte ai, Rrapushi, dhe askush nuk mund ta shkonte as nëpër mend të tallej me të.

Bukuroshja përballë tij u zverdh dhe u zvogëlua edhe më shumë dhe dukej si një adoleshente e zënë në faj, që zgjat buzët për të marrë një të puthur në vend të të sharave. Rrapushi u përkul dhe ashtu i vëngëruar i dha një puthje si prej oktapodi, një pëllëmbë në bythët e saj të vogla dhe sakaq e flaku jashtë derës. Nxitimthi, duke i rënë kryq e tërthor zyrës, shfletoi fjalorin e rëndë dhe diku, në krye të njerës prej faqeve, hasi fjalët: gojëzënë, gomar...

Ja pra, ku na qenkësh edhe ajo fjala magjike gomar e përdorur prej Presidentit. Shqiptoi nëpër rreshta go go go go, golf, gollak, gollomesh, gomar... GOMAR,~I m. sh. Ë, ~ ËT. 1. Kafshë njëthundrake, që mbahet në shtëpi për ngarkesë, me trup më të vogël se kali, me kokë më të madhe, me vesh më të gjatë dhe me qime zakonisht të hirtë. Veshët e gomarit. Kërriç gomari. Ngarkoj gomarin. Palli gomari. I bie gomarit. Punon si gomar, punon shumë. Duron si gomar, duron shumë. Këndon si gomar, këndon keq.

2. Gomar i madh. Njeri i trashë nga mendja, budalla, hajvan. Mori mendjen e atij gomari. Ç'gomar qenka. Gomar me veshë. Gomar buzëbardhë. S'çalon gomari nga veshët. I kanë hedhur trutë e gomarit... Prit gomar të mbijë bar!... Punon kali, ha gomari...

Hm, ia bëri. Sidoqoftë po të kërkosh gjen edhe vlera pozitive te kjo kafshë, mendoi Rrapushi duke u munduar të zhbironte anën optimiste të këtij realiteti. Heshti paksa me sytë mbi fjalor dhe pastaj rrudhi buzët. Nuk i pëlqeu aspak shprehja: Punon kali, ha gomari... Me demek gomari ha në kurriz të kalit... është parazit... Domethënë ai, Rrapushi, na qenkësh parazit... i paaftë... i aftë për t' u ushqyer vetëm me punën e kalit... Me punën e atij nëpunësit më të vogël në trup dhe në detyrë... Po kjo ishte marrëzi... Këtë kishte dashur të thoshte Presidenti që e kishte sharë në sytë e atij vocërrakut?!... Mos nuk ishte në rregull nga trutë Shkëlqesia e tij?!... Rrapushi u drodh i tmerruar prej këtij mendimi rebel... Mos vallë e kishte shqiptuar me zë të lartë?... Se edhe muret kanë veshë në Presidencë, i raportojnë Presidentit për atë lajthitje dhe mjerë ai, Rrapushi... Vërra e miut miliona lekë dhe vështirë ta shpëtonte kokën...

Po si, more, e trajtonte aq dashamirësisht atë hiçin... e thërriste dhe me përkëdheli: Ku je o Flori i vogël, o Floriri im... Dhe i ngarkonte për të bërë shkresat më të vështira... Dhe jo vetëm më të vështirat... Gjithë letërkëmbimi i Presidentit kalonte nëpër duart e Floririt, përveç mesazheve diplomatike, që trajtoheshin nga drejtoria e marrëdhënieve me jashtë... Kurse Rrapushi, Njëshi i Stafit Presidencial na ishte gomar... Dhe vetëm për faktin se nuk u kishte dhënë dum ca shkresurinave, që i kishin zënë tryezën e punës... Po ja që nuk ia thoshte për shkresa dhe vetëm për njëckë gjë ta ofendoje?!... Në fund të fundit ai ishte drejtues dhe jo mi zyrash, jo burokrat si ai farë Floriri... Rrapushi ishte Njësh, administrator i shkëlqyer, me vizionin e një udhëheqësi të ardhshëm, i aftë ta bënte zap Stafin Presidencial, të dridhej para tij si para vetë Presidentit... Nuk ishte çudi që ndonjë ditë ai, Rrapush Kalemi, të zinte vendin e Shkëlqesisë së Tij, pavarësisht se nuk i jepej për kalem... Le të merreshin ata të Stafit me kartën e kalemin, prandaj dhe paguheshin, t'i shërbenin Presidentit, t'i shkrinin dijet, dhuntitë dhe inteligjencën e tyre për Shkëlqesinë e Tij... Ai, Floriri me shokë... Po ç't'i bësh Presidentit?... E drejta e tij të shajë e të lavdërojë kë të dojë... Po a barazohet Floriri me atë, Njëshin, Rrapushin?... Dhe ç'është më e keqja ta vlerësosh edhe më lart?...

- Të rroftë Kryeministri ty, se për hatër të tij i gëzon tërë ato privilegje, o gomar... Ti dhe tërë ata gomarët që të pasojnë... Nuk vleni të gjithë bashkë as çerekun e Floririt... Se tërë punën e Presidencës e mban kurrizi i Floririt të vogël dhe tre - katër të tjerëve, si Floriri... Ata ngordhin në punë e ju, miqtë e miqve të mi, jepni veç urdhra... ziheni e griheni me njëri - tjetrin kush e kush të komandojë më shumë. Tre - katër kuaj pune, si Floriri... dhe komandanti më i fortë, si gjithmonë, Rrapushi, gomari më i madh... Apo jo Rrapush Kalemi?! - kishte ironizuar Presidenti, duke harkuar vetullat e trasha që i bënin edhe më therëse shigjetat tallëse që lëshonte goja e Shkëlqesisë së Tij.

- Si urdhëron, zoti President! - ishte shkundur Rrapushi si i pickuar nga dhembja e fyerjes më shumë se nga cinizmi i zakonshëm i Presidentit ndaj tij.

- Si, si urdhëron?! Ç'kuptim ka shprehja "si urdhëron", a derëzi, kur ti mbete tërë jetën gomar?!... Mëso ngapak prej Floririt... Të kam thënë sa herë, ngarkoja atij punën, kur nuk e bën dot vetë... Mos kij turp për padijen tënde... Në fund të fundit kështu është ndërtuar kjo botë: Të diturit detyrohen të jenë këshilltarë të budallenjve, të mençurit shërbyes të të marrëve ose siç thotë jo më kot sovrani i ndritur, populli, punon kali dhe ha gomari... Apo jo Rrapush Kalemi?!...
- Si urdhëron Shkëlqesia Juaj! - ishte përkulur plot nderim Rrapushi, pa harruar t'i hidhte një bisht syri vëngërosh Floririt, ashtu shkaras si t'i thoshte: " Do të ma paguash me kokë dikur këtë fyerje, or micrrak!"

- Zoti President! Nuk ju duket se po më ngarkoni ca si shumë? - u ndie Floriri moskokëçarës.
- Hajt, hajt se të mban kurrizi ty. Jo më kot je kalë i zgjedhur. Kali i mirë e shton vet tagjinë, or Flori, - ia pat Presidenti me të qeshur, duke i rrahur miqësisht shpatullat.
Po kjo pikë e zezë? Si më trajton mua, Mëkëmbësin e Tij, dhe si e trajton atë pinxhon, atë spurdhjakun, vetëm e vetëm se ka dy pare mend më shumë ai, askushi, shfryu në vete Rrapushi gjithë urrejtje për Floririn, duke u betuar se nuk do ta linte pa ia thyer samarin për poshtërimin...

- Dhe tani mbathjani se boll u mora me ju... Më presin punët e shtetit, o Flori! Nuk është gjë e lehtë të jesh President... dhe të kesh përqark ca gomarë si Rrapushi, - tha Shkëlqesia e Tij me një ton tip koktei, ku përziheshin e qeshura prej babaxhani, tallja dhe urdhri i të Gjithëpushtetëshmit të vendit.

- Si urdhëron zoti President! - jehoi rishtas refreni servil i Kryendihmësit.
- Përsëri avazin e gomarit, ky! Ore, po nuk hoqe gojë nga ajo mut shprehje?! Se kur pall ti nuk di të pushosh... Dhe kur nuk di ta mbyllësh, edhe po të thuash ndonjëherë ndonjë fjalë të mençur, të vret veshin si e pallur gomari...

- Si urdhëron z... zo... - belbëzoi Rrapushi dhe, duke u zbythur, u përplas te dera.
- Përjashta, gomar! - gjëmoi Presidenti me fytyrën dimër të zi.
Dolën turras. Mëkëmbësi i ndjekur nga Floriri. Porta hijerëndë hungëroi pas shpinës së tyre.
- Dhe shiko! Qepe ti! Pe gjë, s'pashë! Qartë, o Floriçkë?! - i mëshoi gojës Rrapushi jashtë zyrës së Presidentit. - Se për ndryshe mjerë ti!

- E di. Më pret hakmarrja, - ia ktheu qetas Floriri.

- Ferri, thuaj! Të pret ferri, o verdhushkë e vockël! Dhe verdhushkat nuk kanë asnjë vlerë në ferr, o Flooorushkë! - iu zgërdhi në hundë Rrapushi, duke e zgjatur qëllimisht zërin për t'i dhënë të kuptojë se nuk i hynte shumë në punë ngjyra që vogëlani kishte në sytë e Presidentit...

Duhet të ishte mbushur viti nga dita e asaj flakurime Presidenciale dhe Rrapushit ende i vetëtinin sytë sa herë e kujtonte. Në ndërgjegjen e tij tashmë ishte rrënjosur aq shumë ideja e të qenurit gomar, saqë jo vetëm vartësit, por tërë të njohurit i hetonte me kujdes, pa u dhënë të kuptonin atyre, dhe, nga karakteristikat që shfaqnin, i klasifikonte në gomarë e kuaj. Çuditërisht nga përllogaritjet, që bënte, i dilte se numri i kuajve ishte rreth katër herë më i vogël se i gomarëve. Pra, e thënë më troç, në çdo katër gomarë, mezi do ta hasje një kalë, që shtyhej kokulur larg shoqërisë gazmore të gomarëve, të cilët, ashtu çakërqejf, hanin, pinin, pallnin e përgojonin gjithë përbuzje skllavërinë e kuajve. Gomarët dinin të silleshin gjithë mirësjellje e kolektivitet ndaj njëri tjetrit, e respektonin me fanatizëm bashkësinë e tyre dhe dinin se ç'kuptim thelbësor kishte jeta në komunitet. A nuk ishte kënaqësi të kullosje në tufë në një livadh me bar të njomë, trifil të blertë e gjithfarë lulesh të tjera pranverore, livadh i pluguar, i mbjellë dhe i mirëmbajtur me punën e kuajve heremitë, që nuk dinin ç'ishte kënaqësia e jetës parazite moderne?!...

Eh!... Kjo ishte parajsa!... E ç'mund të kishe më tepër në parajsën e vërtetë, se ato gomarica buzëbardha, që u shkëlqente qimja e dhëmbët, ashtu të harruara pas lodrave dashurore, që u lotonin sytë e mëdhenj naivë prej epsheve, kur përballeshin me vështrimet e zjarrta të meshkujve... Eh!... Gomarica si ajo Kullumbrija e Shaqir Qorrit, që, me një të dredhur të bishtit, tërbonte tërë gomarët e Bregut të Lumit... Eh!... S'i rezistonte dot kush asaj... As vetë Rrapush Kalemi... Zalisej kur ia kthente synë Kullumbrija, buzëqeshja tinëzake e saj ia copëtonte zemrën si teh thike në duart e kasapit... Pa le të bëje dashuri me të... O Zot!... Të çmendeshe nga furia e saj... Njëherë ishte kapërthyer me të Rrapushi e ndihej ende i dambllosur... Ah të vinte përsëri ajo ditë që Kullumbrinë ta sillte halli në derën e Rrapushit, si ca kohë të shkuara... Ja për këtë i lutej Zotit ditë e natë... Ta shihte veten në përqafimin e gomaricës Kullumbri, diku andej lart nga livadhet e Dajtit... Dhe kjo dëshirë tashmë i ishte shndërruar në fikësim, atij Njëshit të Stafit Presidencial, siç i ishte shndërruar në mani të qenurit gomar...

Po Floririt si shumë po i kruhej kurrizi?!... Mos kujtonte vallë ai kaluç se miqësia me Presidentin i jepte ndonjë epërsi mbi atë, Rrapush Kalemin?!... Ishte shefi i tij Rrapushi, jo dokushdo... Këtë duhet ta kishte të qartë Floriri, si drita e diellit... dhe jo të guxonte e të tallej, ashtu si larg e larg, siç përpiqej ndonjëherë... Shtynte derën e zyrës dhe hynte pa pritur t'i thoshnin hyr...

- Ç'kemi shef?! - ia behte drejt e në temë, si të ishin shokë dhe jo epror e vartës.

Rrapushi vëngërohej e kruante zërin si t'i kujtonte vartësit vogëlor që të matej para tij, siç mateshin gjithë të tjerët, kur flisnin, siç matej vetë Rrapushi para Presidentit, mirëpo nuk dëgjonte nga ai vesh Floriri...

- E di atë fabulën e Dritëroit, "Kali dhe gomari", shef?! - zgërdhihej Floriri si pa të keq.
- Fabulën " Gomari dhe Kali"?! - e ndreqte Rrapushi, duke i mëshuar zërit autoritar. - Jo, nuk më kujtohet, megjithë respektin për autorin... e kam pasur mik dikur... Tani sikur jemi harruar... Vetëkuptohet, puna, detyrat, ngarkesa Presidenciale na kanë larguar...

- Atëherë dëgjo me vëmendje, shef: Kali dhe gomari...
- Deshe të thuash Gomari dhe kali... - e ndërpriste Rrapushi dhe ngrehte vetullat si Presidenti.
- Shef! Mos më ndërprit, të lutem, - këmbëngulte Floriri dhe recitonte:

KALI DHE GOMARI
- Përrallë -
Kalonin në një shteg të ngushtë mali
Gomari para, pas gomarit kali.
Të dy me thasë të ngarkuar mirë
Nga vapa të munduar e djersirë.
Fshatari donte shpejt në fshat të arrinte
Dhe kalit vitheve me shkop i binte.
Po kali më në fund durimin humbi,
E ngriti bishtin dhe samarin tundi.
"Mbaj dorën, se ta hedh përdhe samarin,
Ti para meje pse ma nxjerr gomarin?
E ku të vete vallë, unë i ngrati,
Kur rrugën ma ka zënë veshëgjati?
Përpara nxirrmë mua që mos vuash
Dhe rrih pastaj gomarin sa të duash!"

- Hëëëmmm! - kruante zërin Rrapushi, pastaj ngrinte vështrimin vëngërthi dhe zhbironte kundërshtarin. - E ç'do të thuash me këtë ti, Flori?!...
- Jo unë... Ç'ka dashur të thotë Dritëroi...
- Epo shko pyet Dritëronë se ç'ka dashur të thotë, se mua s'më tepron koha të merrem me gjëagjëza! - e mbyllte bisedën ashpër Rrapushi...
- S'ka problem, shef... Ta thashë ashtu kot, sa për informacion... për dijeni...
- Informacionet i dua vetëm nga burime zyrtare, jo letrare. Qartë!? - hungëronte Rrapushi, por Floriri ndërkaq ishte gjendur jashtë derës, në korridorin plot labirinte…

- Mor po si shumë tangërllëk kanë këta kuajt! - bubulloi Rrapushi, megjithëse vetëm në zyrë. - Pa të shohim se ç'thotë fjalori për ta?... Kali... kali... kali..., - bërbëliste ai, duke shfletuar zhurmshëm fletët e librit... - Kalesh... kaleshan... e gjeta më në fund:

KAL/Ë~ m. sh. KUAJ, KUAJT. 1. Kafshë shtëpiake njëthundrake e fortë dhe e shkathët, me trup të madh, të mbuluar me qime të buta e të shkurtra, me bisht të gjatë e me jele, që shërben për të hipur në të, për të mbartur diçka ose për të tërhequr karrocën etj. Kalë i bardhë ( pullali, çil, arab ). Kalë i egër. Kalë i tredhur. Kalë race. Kalë karroce. Kalë vrapimi. Kalë samari ( barre ) kalë për ngarkesë. Shaloj kalin. I hipi kalit. Zbres nga kali. Punon si kalë, punon shumë, pa e kursyer veten...

2. Ra nga kali: ra nga pozita e lartë që kishte, e hoqën nga detyra e lartë që kishte...
Jo mor, se Rrapushi nuk rrëzohej aq lehtë nga kuajt... Mjafton të kishte nja tre - katër kuaj si Floriri në Stafin Presidencial dhe ai do të dinte si t'ua shalonte, njëlloj si Presidenti... Do të vepronte nën shembullin e Shkëlqesisë së Tij... Duheshin kuajt... nuk e kishte më kot Presidenti kur e lavdëronte Floririn... Qerrata President... Ua dinte vlerën gjërave... Pse të mos ua dinte edhe ai, Rrapush Kalemi?... Punon kali, ha gomari... Ha, ha, ha!... Sa shprehje e goditur!...
Duheshin kuajt... S'ke ç'i thua... Kuaj të mirë, si Floriri... Pa shih, ç'thotë më poshtë?... Kali i mirë ( i kuq ) e ka një huq... Domethënë... se... Floriri nuk është pa të meta... Kali i botës të lë në mes të udhës... Mor po ky Floriri sikur është kali i Presidentit?... Po... po, ashtu... dhe ky Floriri mund të më lërë në mes të udhës mua, Rrapushin... Duhet ta bëj për vete, ndryshe...

Sa herë Presidenti ikte jashtë shtetit, Rrapushi ulej në kolltukun Presidencial dhe, hijerëndë, si Shkëlqesia e Tij, i thërriste një nga një anëtarët e Stafit dhe, i rreptë, i prerë e gjëmues, si një Zeus i vogël, u kërkonte llogari për veprimtarinë e tyre, aq sa gati u shpëtonte shurra... Goxha burra e gra katandiseshin si nxënësit e klasës së parë që vijnë në shkollë pa bërë detyrat dhe qurraviten përballë mësuesit... Rrapushit i kënaqej shpirti nga këto skena dhe, ashtu i zhytur në luksin marramendës që e rrethonte, në atë zyrë madhështore, ëndërronte të zëvendësonte dikur vetë Presidentin... Mirëpo Floriri ia prishte humorin... Hynte pa iu dridhur qerpiku dhe, ndryshe nga të tjerët, që merrnin pamje skllavi, në atë zyrë, që të mbyste me farfurimat e llampadarëve dhe shkëlqimin përrallor të antikave, seç përralliste ca fabula e ca bejte, me qëllimin e vetëm t'i cingriste nervat Rrapushit, mëkëmbësit të Shkëlqesisë së Tij, Presidentit...

- Shef! - niste Floriri si gjithmonë me të qeshur.
- Po!? - mezi ngrente kryet Rrapushi nga shkresurinat.
Gati sa s'e hante të gjallë Floririn ato çaste.
- E di fabulën "Gomari me lëkurë luani"?
- Pa ta dëgjojmë njëherë...

- Posi shef... Dikur një gomar, i lodhur nga ngarkesa, u largua nga fshati dhe u fut në pyll. Në rrugë gjeti një lëkurë luani. E mori dhe e veshi me mendimin për t'u dukur si luan në sytë e kafshëve të tjera. Dhe vërtet ashtu ndodhi. Kafshët, kur e panë, i bënë shumë nderime dhe e gostitën me tërë të mirat, si të ishte vetë mbreti i tyre, Luani.

Gomari, pasi hëngri dhe u ngop, harroi që ishte maskuar dhe, prej kënaqësisë, filloi të pëlliste sa u tund pylli. Kafshët e njohën se kush ishte dhe ia paguan mashtrimin, duke e rrahur me dru, aq sa gomari u pendua, mirëpo ishte vonë...

- E ç'do të thuash me këtë ti, Floruk?! - ishte acaruar Rrapushi.
- E ç'mund të them unë, shef? Ç'ka dashur të thotë autori... Sa për informacion...
- Sa herë të kam thënë, o Floruc, më sill vetëm informacione zyrtare e jo letrare... Po ti sikur je shurdh... E di ligjin e shefit apo jo?...
- Patjetër shef...

- Ca më keq që e di dhe nuk e zbaton... Po ta përsëris edhe njëherë që ta kesh si vath në vesh... Hapi veshët:

1. Shefi ka të drejtë.
2. Shefi ka gjithmonë të drejtë.
3. Në të pamundurën hipotezë, që një vartës të ketë të drejtë, hyjnë menjëherë në veprim neni 1 dhe 2.
4. Shefi nuk fle, pushon.
5. Shefi nuk ha, shijon.
6. Shefi nuk pi, tret.
7. Shefi nuk është kurrë vonë, është në kohë.
8. Shefi nuk e lë kurrë punën, është kërkesa e të tjerëve për prezencën e tij.
9. Shefi nuk e lexon kurrë gazetën, ai mbahet i informuar.
10. Shefi nuk familjarizohet me sekretaren, e edukon.
11. Kush hyn në zyrën e shefit me ide të vetat duhet të dalë me ato të shefit.
12. Shefi mendon për të gjithë.
13. Sa më shumë mendon si shefi, aq më shumë bën karrierë.
14. Shefi është shef edhe kur të mërzit ( ia fut kot ).

E pra, ky është kodi i shefit, mos e harro kurrë, po do të mbijetosh... Qartë, o Flooorec!? - u krekos Rrapush Kalemi.

- Veç një vërejtje kam, shef, unë mbijetoj në sajë të kurrizit tim, - theksoi Floriri duke dalë.
- Do ta shohim se sa të ngre kurrizi, veç mos u bëfsha unë i Pari, or vocërrak, - u ndie gjëmimi i Rrapushit bashkë me brambullimën e derës.
- Eh, do të më lesh pa punë, asgjë më shumë, or Rrapush Kalemi, - nëpërdhëmbi Floriri, duke mos besuar fort në fuqinë magjike të zyrës Presidenciale për ta metamorfozuar gomarin në kalë e Rrapushin në President...

2

Ndërruan shumë stinë, rrodhën shumë ujëra nga burimet në përrenj e lumenj dhe papritmas, çuditërisht, Rrapush Kalemi u shpall President i vendit... Kishte dalë në pension Shkëlqesia e Tij, ish Presidenti, duke ia lënë zyrën Presidenciale trashëgim Rrapush Kalemit. Tani Rrapushi vriste e priste jo si shef i stafit, jo si mëkëmbës, por si vetë Shkëlqesia e Tij. Rrapush Kalemi tashmë ishte Presidenti dora vetë... Ishte metamorfozuar në mënyrën më të habitshme... Ndoshta e kishte këtë fuqi magjike zyra Presidenciale dhe veshët e gjatë të Rrapush Kalemit nuk do t'i binin më në sy askujt...

- Flori, të kërkon ai, Gomari, që i ka zënë zyrën Presidentit, - ndjeu një zë Floriri, i cili ishte ende i trullosur nga habia.

Ishte shoferi i Presidentit, me fytyrë të hidhëruar.

- Me sa duket do të merret me mua, ende pa e vënë mirë bythën në kolltukun Presidencial, - rrudhi buzët Floriri tërë vrer.
- Epo ta ka bërë benë, o Flori, - qeshi shoferi. - Paç fat...
Floriri trokiti në portën e zyrës Presidenciale dhe hyri pa pritur ta ftonin. Rrapushi i gëzohej kolltukut rrotullues, i zhytur në të si një fëmijë në parkun e lodrave. U tërbua nga ardhja e papritur e Floririt, aq sa ulëriti sa kishte në kokë:
- Floooruk, nuk hyhet kurrë pa leje në zyrën e Presidentit! Dhe tani President jam unë, Rrapush Kalemi...
- E thonë të gjitha mediat shef, që ju jeni Presidenti, nuk besoj se më thirrët për të më treguar se cili jeni...

- Qepe gojën, micrrak! Presidenti të thërret përse t'i dojë qejfi, - e ndërpreu Rrapushi, duke u munduar të imitonte ish Presidentin.
- Unë thirrem vetëm për punë, vetëm për të hartuar shkresa, zoti Preeesident, - i mëshoi zërit Floriri, pa e duruar dot brutalitetin e Rrapush Presidentit.
- Si guxon, ti, mor hiç! Si guxon t'i kundërshtosh Presidentit! E di që thërras rojat dhe të hedh hekurat në vend?... Të kalb në burg, atë të bëj! - brofi në këmbë Rrapush Presidenti, duke bërtitur histerik, por Floriri nuk e prishi gjakun.
- Edhe mundet, shef!...

- Jam Presidenti, mor i paudhë!... Po e di ç'ke ti? Qërohu fare nga puna, qysh tani!... M'u hiq sysh se më verbove, o Flooorec! - theksoi triumfator Rrapushi.

- Patjetër, shef! E dija që timen kisha vetëm bythën... Karrigia është juaja dhe keni të drejtë të ma hiqni kur të doni... sipas ligjit të shefit... - u shpreh i pikëlluar Floriri dhe doli pa e zgjatur më tej.

Pas e ndoqën një hop sokëllimat e tërbuara të Presidentit të ri.

Dorëzoi zyrën, u përshëndet me kolegët, që ende nuk u besohej se si mund të flakej tutje Floriri dhe la pas Selinë e Presidencës për të dalë në rrugë të madhe...

Kaluan disa ditë dhe Floriri, pikë e vrer prej hakmarrjes së verbër të Rrapushit, endej kuturu rrugëve të zhurmshme të Kryeqytetit. Një mbasdite, në shetitoren buzë liqenit artificial, u përball me ish Presidentin, që po shetiste i shoqëruar nga një prej rojave besnikë. U përqafuan.

- Po si je, mor Flori, si ia çon me Rrapushin? - i rrahu shpatullat ish Presidenti tërë gjallëri.
- Jo keq! U grindëm pak dhe më pushoi nga puna... Zbatoi kodin e lashtë të shefave, - ia ktheu Floriri me të qeshur.
- Si!? Të paska pushuar nga puna?!... Po gjithë jetën gomar mbeti Rrapush derëziu? - hungëriu i vrejtur ish Presidenti, Luani plak, pastaj, si u mendua një hop, tundi kokën me cinizëm, nxorri celularin dhe formoi një numër.

- Hë, Rrapush, ç'të reja kemi andej...
- Qetësi, zoti President!... Për Ju ka pasur plot mesazhe nga Presidentët fqinjë, - u ndie zëri i njohur, i dridhur e i nxituar i Rrapush Kalemit.
- Mirë, mirë e mora vesh... M'i dërgo në mbrëmje te "Rogneri", me Floririn... Ç'thotë Floriri, Rrapush?...
- Si urdhëron, zoti President!... Shëndoshë e mirë është Floriri... Sapo jam ndarë me të... Po jua dërgoj menjëherë...

Floriri i ra ballit prej habisë, kurse ish-Presidenti qeshi.
- Të kam thënë, o Rrapush, Floriri është kalë i mirë. Mësohu ta mbarështrosh kalin e mirë. Mos e ndaj prej vetes.
- Si urdhëron, shef! Do ta vëmë përpara kalin që të na shkojnë punët mbarë.
- Ashtu të lumtë, o Rrapush! Më në fund e paske kuptuar: kalin gjithmonë përpara, - theksoi ish Presidenti me ton lavdërues dhe mbylli celularin.
- Eh, kjo botë e çmendur…! – psherëtiu Floriri.
- Mos u çudit, Flori! I ka pushteti këto... Dhe tani të ndahemi dhe vrap në shtëpi se ai gomari ka për të dërguar makinën presidenciale menjëherë, - tha ish-Presidenti dhe u rrokën qafë më qafë.

Pastaj u ndanë. Presidenti pensionist i shkeli syrin.
Floriri mori një taksi dhe u kthye në shtëpi. Aty e priste makina e Presidentit.

- Ç'ka bërë vaki, Flori, që po i shpëtonte shurra prej frikës Presidentit tonë të nderuar? Ia paske punuar, më duket, - fërkoi duart shoferi i kënaqur sa s'thuhet.
- Vetëkuptohet, i ka këto pushteti, - i shkeli syrin Floriri
- I ka këto pushteti... Ç'nuk po na shohin sytë, o Flori, - fërkoi duart shoferi dhe e shkeli syrin si të imitonte ish Presidentin.

Ndërkohë makina e Presidentit u nis drejt Selisë Presidenciale.

3

Presidenti Rrapush Kalemi më në fund u rehatua në kolltukun presidencial përballë skrivanisë mitike ku thurreshin planet për mbarëvajtjen ekonomike të vendit, për sigurinë kombëtare, për drejtësinë kushtetuese dhe projektet e së ardhmes. Në këtë tryezë pune hartoheshin e firmoseshin tërë urdhrat presidencialë për të sotmen dhe të nesërmen e shtetit. Këtu ishte "Olimpi" i Republikës dhe Zeusi tashmë ishte Rrapush Kalemi. Kjo ishte mbretëria e tij e ëndërruar. Kishte në dorë diellin, shiun, breshërin, borën, erën dhe rrufenë. Si Zeusi i mitologjisë. Mund të buzëqeshte Ai dhe dielli të ndrinte rrugën, në të kundërtën rrufeja e zemërimit të vërvitej mbi krye dhe mjerë ti...

Po si shumë aparatura kishte sipër e përqark kësaj tryeze! Si të ishte kabinë pilotimi e ndonjë anijeje gjigante kozmike.

- Hi, hi, hi! Si nëpër filma, - qeshi Rrapushi.

Ende nuk i mbushej mendja se ëndrra e tij ishte bërë realitet. Shtypi një buton dhe befas u dëgjua një zë:

- Urdhëroni! Jam ministri i Mbrojtjes.
- Hi, hi, hi! Gjë e bukur! - pëshpëriti Rrapushi, pastaj i mëshoi ashpër zërit:
- Presidenti jam. Ndonjë gjë të re andej nga ju, zoti Ministër!?
- Përgjithësisht mirë, zoti President! Vetëm se na mungojnë fondet për blerjen e armëve të reja. NATO-ja na ka vënë detyrë modernizimin e ushtrisë sonë.

- Po reformimi si shkon?
- Jo keq. Po merremi me strukturën e re të ushtrisë...
- Mirë! Shumë mirë, zoti Ministër! Vazhdoni zbatimin e detyrave! - e ndërpreu Rrapushi me ton urdhërues.

Ishte në rolin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Rishtypi butonin, u fik drita dhe zëri heshti. Shtypi një buton tjetër.

- Urdhëroni! Ministri i Ekonomisë, - jehoi një zë tjetër.
- Presidenti ju flet!
- Ju dëgjoj, zoti President! - zëri matanë ndihej i emocionuar.
- Ç' bëhet në institucionin tuaj, zoti Ministër?

- Jo mirë punët, zoti President! Sistemi energjitik përtokë, i vjetër, po mbaron. Abonentët na vjedhin dhe nuk i detyrojmë dot të paguajnë. Nuk kemi aleat as motin. Pikë shi nuk bie dhe liqenet po shteren. Rrezik të dalin hidrocentralet jashtë pune. Minierat janë mbyllur. Kanë marrë fund. Banorët e qyteteve pranë tyre rrezikohen prej urisë. Po filluan shpërnguljet e pakontrolluara do të shkaktojnë shumë probleme sociale, sidomos në rrethinat e kryeqytetit... Mbahemi nga pak me Telekomin, megjithëse rrjeti kabllor ka cofur. Punë e dobët e paraardhësve të mi. Nuk na lë të qetë as Opozita duke na akuzuar për kusarë... Pa drita, pa ujë, pa bukë, pa rrugë, pa telefon, pa para... Po çmendemi...

- Më sillni urgjent një raport të detajuar me masa konkrete për ndryshimin e gjendjes! - u acarua Rrapushi dhe e mbylli linjën.

Vazhdoi të hynte në linja të reja, por nuk përgjigjej kush. Kur po e humbiste durimin u bë gjallë një zë i rreptë:

- Urdhëroni! Ministri i Rendit Publik!
- Presidenti jam! Ç' bëhet andej?

- Siç e dini, na është qepur Opozita me mitingje. Na e mori frymën. Ditë e natë në gadishmëri...
- Jeni të fortë ju, i përballoni situatat e vështira, - ia ktheu Rrapushi dhe e ndërpreu linjën.
- Eh! Vit ters... Si viti 13 një shekull më parë... Ishalla e pruftë Zoti mbarë se njerëzit ia kanë shitur shpirtin shejtanit, - psherëtiu Rrapushi me një shije të hidhur thellë në vetëdije.

U hodhi një sy dosjeve të shumta që prisnin të shfletoheshin, mirëpo nuk pati dëshirë të merrej me to. Edhe aty do të haste plot probleme që do t'ia bënin nervat ujë për atë ditë... Shqipëria tashmë ishte katandisur vendi më i shpërfytyruar në botë... Qytetet ishin përlyer me baltën e ujërave të zeza, bulevardet e trotuaret gropa gropa e pellgje pellgje ku koteshin të papunët, të pashpresët, pijanecët e të droguarit... Zhgërryheshin në llumë e llumë e ndyrësi pillnin gojët e tyre... Grindeshin, hakmerreshin e vriteshin në terr e varfëri... Jeta rridhte e mundimshme si një lumë i skëterrshëm sidomos për të pastrehët, që erreshin e gdhiheshin rrëzë pallateve shumëkatëshe ndërtuar jashtë ligjeve urbanistike me para të vjedhura, para droge e gjaku... Në fshat gjendja edhe më e keqe: Varfëri, Analfabetizëm, Errësirë e Banditizëm... Më mirë larg prej atyre dosjeve... Eh!... Iu kujtua një shprehje ashtu tymtas: "Ruaju të mos të të hyjë kunji se, po të hyri, një shenjë do të ta lerë"... Dhe ai nuk donte shenja atë ditë dhe kurrë as në trup e as në shpirt... Ishte apo nuk ishte Presidenti i vendit?... Shenjat e kunjit le t'i mbanin me shëndet vartësit e tij, Floriri me shokë, populli, kush nuk kishte fuqi të mbrohej... Le t'i bartnin kuajt thesët e halleve shqiptare...

U ndien të trokitura në derë.
- Hyr! - hungëroi Presidenti.

U shfaq sqimatare shefja e personelit.

Thonë se kjo nuk është as gomaricë e as pelë, por dhelpër, i vetëtiu në kokë instiktivisht Rrapushit. I duhej të gjente një gjuhë të veçantë për të.

- Po?!
- Shkëqesia Juaj! E kam për detyrë t'ju vë në dijeni për gjendjen e Stafit, megjithëse Ju, vetëkuptohet, jeni në dijeni... - u përdrodh shefja trup e buzë.
- Po?! - vazhdoi Presidenti me të njëjtin ton mospërfillës, si për ta hutuar, megjithëse e dinte se nuk e lëshonte veten aq lehtë ajo zonjë dhelparake.
- Po ja, thashë t'ju kujtoja se na duhen më shumë djem të aftë si Floriri, besoj e njihni...
- Po!?
- Po qe se Shkëlqesia Juaj është dakord, të punësojmë edhe ndonjë tjetër si ai...
- Me demek kuaj pune!...
- Po qe se ju i quani ashtu...

- E si t'i emërtoj ndryshe, kur e di dhe bufi që Stafi Presidencial përbëhet prej gomarëve dhe kuajve, moj zonja dhelpër!? - shpërtheu inatçor Presidenti.
- ... ...!?

- Nuk ju vjen për mbarë të përgjigjeni!? Mësoje pra, se këtu ka gomarë dembelë dhe kuaj punëtorë... Mjaft i kemi kuajt... Sa është raporti mes tyre?
- Besoj, nja njëzet me tetëdhjetë për qind në favor të gomarëve, - tha serbes serbes shefja, si t'i jepte të kuptonte Presidentit se e kishte në dorë situatën.
- Hi, hi, hi! E shikon sa mirë e ditke se në Staf kemi gomarë dhe kuaj? Ditke edhe përqindjet e tyre. Mëso se kuajt na kushtojnë, janë tepër tekanjozë dhe të kushtueshëm...

- Po qe se më lejoni, Shkëlqesia Juaj, do të thosha se më shumë na kushtojnë të ashtuquajturit gomarë... Një kalë punon sa për katër gomarë dhe paguhet sa një gjysmë gomari... Pra, një kalë pune me një pagë qesharake komandohet njëherësh nga katër gomarë... Goxha e shtrenjtë komanda... Në tregun e punës gjen kuaj edhe më të mirë e më të lirë... papunësi e madhe, siç jeni në dijeni, Shkëlqesia Juaj...

- Politikën e punësimit ma lini mua, zonjë. Juve mbushni saktë shkresat që do t'ju kërkohen, miradministroni dosjet e gomarëve dhe kuajve prapa hekurave të asaj zyrës suaj... Miradministroni kafazin tuaj, zonja dhelpër!

- Si urdhëron Shkëlqesia Juaj! Organika e kërkon që të jetë një dhelpër si shefe personeli dhe unë e tillë jam. Pra, i përmbush kriteret e vendit të punës. Nuk e di në se është brenda kriterit edhe Shkëlqesia Juaj, sepse, me sa di dhe në se më lejoni, Presidenti u dashka të jetë Luan, sipas ligjeve të pyllit dhe të xhunglës...

- Zonjë, këtu nuk jemi as në pyll e as në xhungël, po në Selinë Kryesore të Shtetit, në "Olimpin" e Republikës... Vendos politika se kë zgjedh dhe si e zgjedh Presidentin... Mbaje mend mirë: Unë, Presidenti i këtij vendi dhe i juaji, zonjë, jam fryt i Politikës... Pak rëndësi ka qenia ime gomar, kal, derr apo luan, siç pretendoni ju, zonja dhelpër... Kriteri është për vartësit e mi dhe kjo vlen edhe për ju, zonja dhelpër! Mbajeni fort vendin e punës dhe mos bëni shumë naze... Dhe më e bindur para Presidentit tuaj! Qartë?!... Dhe shiko gjej mundësinë dhe bëji një vend pune Kullumbrisë së Shaqir Qorrit... Do vijë të të takojë... Vëre të tundë edhe ajo një derë brenda kësaj ndërtese... Edhe njëherë qartë?! - theksoi Presidenti duke i dhënë fund preras ligjëratës oratorike.

- Si urdhëron, zoti President! Ju kuptova saktë. Tani ka mundësi të largohem? - u përkul në shenjë servilizmi shefja e personelit dhe praptas e praptas u tërhoq drejt daljes.
- Nderimet e mia, zonjë! Jeni e lirë të shkoni. Dhe kurdoherë me mend në kokë! - e këshilloi për të fundit herë Rrapushi, megjithëse aty për aty e vuri në dyshim sjelljen e tij.

Mos ishte treguar si shumë i butë me atë zonjë lajkatare... sikur ia kishte zgjatur paksa... ia kishte krehur bishtin... Më i rreptë të ishte sjellë... më i prerë... më dinjitoz... si Luan.... si mbreti i xhunglës... se kështu e duan ai soj kafshësh si dhelpra... Megjithatë do t'ia ndreqte njëherë tjetër kurrizin... do t'ia shkurtonte gjuhën... vetëm e vetëm ta vinte në vend nderin e tij prej Presidenti...

Mendimi se zyra e Presidentit duhet të kishte një fuqi magjike, që e shndërronte cilindo që hynte brenda saj, tashmë i ishte kristalizuar në kokë. Priste të shihte rezultatet konkrete, fillimisht te vetja e pastaj te të tjerët. Presidenti, fjala vjen, siç e tha dhe zonja dhelpër, duhet të ishte patjetër Luan, ose të paktën tigër, ari apo ujk... Pranohej edhe kalë, mjaftueshëm gomar... Pra, hyje në atë zyrë gomar dhe çuditërisht e shihje veten Luan... I tillë ishte ish Presidenti, që i la Rrapushit trashëgim Presidencën... Pse të mos bëhej Luan edhe ai, Rrapush Kalemi?!... Edhe po të mos i kishte dhuntitë e Mbretit të Pyllit, do t'ia dhuronte patjetër zyra Presidenciale...

Rrapushi as që e diskutonte se zyra e Presidentit kishte fuqi magjike dhe bënte çudira duke i shndërruar gomarët në kuaj dhe anasjelltas, por kërkonte të dinte nëse vepronte njëlloj mbi të gjithë personat, që hynin e dilnin në mjedisin e saj. Besonte se nuk duhet të kishte të njëjtin efekt si për ata që qëndronin pak minuta, një apo disa orë dhe për dikë që rrinte shumë e shumë ditë e netë, thuajse bëhej banor i përhershëm i saj, si vetë Ai, Shkëlqesia e Tij, Rrapush Kalemi. Pra, kishte të bënte me një teori filozofike më vete, e cila donte studiuar patjetër nga ndonjë filozof i famshëm si ai farë akademiku me emrin trullosës Farmak. Siç thoshnin, ky Farmaku mbahej si filozofi më i madh i kohërave, madje kishte kapërcyer edhe kufijtë botërorë dhe pretendonte se ishte në garë me filozofët alienë, në se ata ekzistonin dhe do të guxonin ta vizitonin ndonjëherë planetin tonë, Tokën.

- Pfff! Nuk e besoj se ky farë filozof Farmaku të jetë kaq i dijshëm, megjithatë ta provojmë njëherë, ku i dihet, - brafulloi Rapushi dhe aty për aty vendosi të urdhëronte vartësit ta gjenin kudo që të ndodhej atë mençurakun dhe ta sillnin menjëherë në Presidencë…

4

Pa u mbushur mirë një orë, filozofi, me atë pamjen e vet prej mjekërcjapi të përçartur, u ndodh në zyrën e Presidentit Rrapush.
- Siç urdhëruat, Shkëlqesi, pafundësia e dijeve të mia, në dispozicionin Tuaj! - u përkul Farmaku aq sa mjekra i preku siprinën e Tryezës.

Presidenti gjithë xhentilencë i uroi mirëseardhjen dijetarit dhe, pasi i lajkatoi famën e madhe, që e shoqëronte, i bëri të ditur arsyet, motivet dhe qëllimin që e kishin shtyrë për ta thirrur me aq ngut për të bashkëpunuar në zbardhjen e sekretit të magjisë së Zyrës Presidenciale.
Dijetari, që e kapi fluturimthi mesazhin e bashkëbiseduesit, ia nisi në çast punës me një pamje tejet euforike, që donte të thoshte se problemi i shtruar për zgjidhje ishte diçka tejet e zakonshme për erudicionin e tij të pamatë. Në krye të pak ditëve nuk do të kishte më asnjë grimë mister mbi padijen e Presidentit. Drita farmakiane do të shkëlqente gjithandej në Presidencë dhe do t’i printe drejt shtigjeve të reja idetë Presidenciale. Dijetari me aftësitë e veta zbuluese do ta vendoste mbi baza shkencore mendimin e Presidentit dhe ecurinë e punëve për drejtimin Republikës drejt të ardhmes ende të panjohur.

Të vetmen kërkesë që i drejtoi Presidentit, për të arritur sa më shpejt synimin, ishte: Ai të kishte mirësinë e të urdhëronte lëvizjen e lirë të dijetarit nëpër gjithë territoret ku e lypte nevoja të shtriheshin vrojtimet, vëzhgimet, hetimet dhe praktikat e hollësishme e tejet të rrepta farmakiane, gjë që iu plotësua sakaq.

Kaluan disa ditë dhe diçka e paparashikuar ndodhi. Pas hulumtimeve të shumta, filozofi Farmak u nguros papritur dhe i ngjante një shtatoreje lëvizëse, midis skulpturave të ndryshme, që pozonin artistikisht nëpër mjediset e Presidencës. Çuditërisht ishte shndërruar në një kafshë hermafrodite të habitur, gjysmagomar e gjysmakalë, aq sa e kishte lënë pa mend edhe Floririn, që ishte urdhëruar ta shoqëronte hap pas hapi dijetarin për t’ia lehtësuar kërkimet shkencore.
Në atë gjendje prej skulpture gomarokali, Farmaku sikur e kishte humbur edhe aftësinë për të nxjerrë rezultatet, prandaj Floririt, në rolin e ndihmësit, iu desh t’u përvishej vetë përllogaritjeve. Dhe pas një përpunimi të shpejtë kompjuterik të të dhënave me tepër vlerë të grumbulluara në sajë të përvojës së filozofit, si dhe në sajë të mendjekthjelltësisë së vet të pa shterueshme, arriti në konkluzionin se magjia që zotëronte Selinë Presidenciale ishte: Ethja për Pushtet, Para dhe Lavdi… Kjo lloj ethje kishte fuqi tjetërsuese, shndërruese dhe metamorfozuese. Ishte ethe me pasoja gjurmëlënëse dhe jo vdekjeprurëse…

O Zot! Ky ishte kulmi… Floriri, jo pa dhembje, i hutuar ca nga keqardhja për pësimin e të shquarit Farmak dhe ca nga kthesa e shpejtë e rrjedhës së ngjarjeve, po arrinte në një përfundim tronditës… Dalëngadalë po kuptonte se rrallëkush prej banorëve, mysafirëve dhe bujtësve të Presidencës i shpëtonte këtij infeksioni habitës. Personat e sëmurë prej këtij virusi, befas pushtoheshin nga etja dhe nga një temperaturë e lartë, që u zgjonte maninë për të mëkatuar gjithë mëkatet që parashkruajnë librat e shenjtë. Dhe dashur padashur përfundonin në maniakë të përjetshëm me një temperament tejet agresiv, me të gjitha simptomat e protagonistëve që i kishin kthyer përfundimisht shpinën parajsës për të populluar dikur ferrin.
O Zot! Sa më larg lakmisë grykëse e makute për pushtet, para e lavdi të pamerituar, zilisë vrasëse për t’i synuar, dhunës për t’i përvetësuar e trashëguar, fodullëkut për t’i vënë në shërbim të veseve, kurnacërisë për t’u shërbyer vyrtyteve dhe pangopësisë për të përjetësuar maninë mëkatare të shpirtit të infektuar, sikur klithte çdo qelizë e qënies së Floririt, teksa përfytyronte se si yshteshin e tundoheshin njerëzit prej magjisë Presidenciale, madje edhe në kontaktin më të vogël me të.

Me sa duket nuk ishte rastësi fakti që një pjesë e majme e shqiptarëve, shtetas të Republikës me emrin Shqipëri, e kishin shpallur veten presidentë të sa e sa bizneseve, shoqatave, partive e lloj lloj organizmash e sajesash fantazma joqeveritare e qeveritare. Ndoshta secili prej tyre e kishte pasur një kontakt fizik apo shpirtëror me Presidencën, qoftë si vizitor i mjediseve të saj të magjishme, qoftë nëpërmjet letërkëmbimit dhe si rezultat ishte shpallur President në Presidencën e principatës së vet reale apo të imagjinuar. Pra, shqiptarët, si pa kuptuar, po përjetonin një tjetërsim masiv Presidencial dhe në territoret e principatizuara të Republikës tashmë, dashur padashur, mbretëronin gomarët… Po, po gomarët…

Nuk e besoni?!… Nuk u mjaftoi gjysmëmetamorfoza e të famshmit Farmak të etur për famë?!… Atëherë ndiqni vijushmërisht kronikat televizive se si sa e sa diiplomatë të huaj paraqesin letrat kredenciale në Presidencë si kuaj dhe largohen dikur prej saj si… gomarë… Përsëri nuk e besoni?!… Atëherë provoni dhe kontaktoni me Presidencën dhe do ta shihni me sytë tuaj se si do të tjetërsoheni… Kuajt befas do të trasformohen në gomarë… Gomarët do të shndërrohen në… gomarë…

President Rrapush Kalemi priste të informohej për zbulimin e sekretit të magjisë së Selisë Presidenciale, me shpresën e mirë për t’u metamorfozuar një ditë në një luan, ashtu siç i ka hije për të qenë një udhëheqësi të vërtetë që mbretëron e prin me largpamësi popullin e vet drejt bollëkut… Po ç’t’i rrëfente më parë i gjori Flori, për lajthitjen e Farmakut a për faktin se gomari mbetet gomar edhe pse bashkëjeton me Presidencën?!…

Mori makinën. Shkoi në pyllin e malit Dajt. Rrëmoi e gjeti një tufë me hithra, me të cilat, pasi u kthye, gudulisi në të ndenjura filozofin Farmak, i cili i përcëlluar hovi përpjetë ulërimthi dhe, si i çliruar prej magjisë, u shndërrua sakaq në një kalë të hazdisur, që trokonte galopthi e hidhej hopthi e sillej e përsillej rrotull.

- M’u duk sikur shihja një ëndërr të keqe. O Zot, bëje ëndërr! – u kthjellua Farmaku.
- Boll paske fjetur, Presidenti pret të informohet, o filozof i matufepsur, - iu gërmush Floriri tallës. – Të paktën tregoji ëndrrat e tua… mbase nanuriset e sheh ëndrra me luanë, ashtu siç ia ka ënda… mbase…

- Mbase… Mbase shpëtojmë edhe ne nga gomarët, që na rëndojnë kurrizin në jetë të jetëve… Mbase hithrat janë një lloj ilaçi për të tillë të lajthitur, - qeshte marrëzisht filozofi Farmak, ende nën efektin përcëllues të hithrave…

Shefki Hysa

Monday, February 18, 2008

RRËFIMET E NJË HAJDUTI

Tregim

Sa pa zbritur mirë nga autobusi urban Tiranë-Kamëz-Tiranë, më mbërtheu për krahu një tip. Isha gjithë pezm në vetvete, ngaqë më kishin ngjeshur si sardele, në një kuti konserve, njerëzit e dyndur në atë dreq "Saviem" të vjetër, pas një pritjeje të ankthshme tejlodhëse stacioneve të xhadesë Kamëz-Tiranë. Edhe më keq më acaroi arroganca e tjetrit. Çuditërisht, u përmbajta si kurrë tjetër herë. Tipi, me pamjen e një njëzetëvjeçari të harbuar që po flak tutje maskën e intelektualit, e përballoi qetësisht xixëllimin e syve të mi të egërsuar.
- Hë, si e ke hallin?! - u ndjeva me një ton allakuksian që nënkupton: "Të kruhet gjë kurrizi?!"…
Isha gati edhe të kacafytesha me tipin, megjithëse fizikisht mund të më hante; kishte një trup mbi mesataren, format e të cilit mundohej t'i vinte në dukje përmes një xhakaventoje të zezë të shtrënguar pas supeve. Sytë, vetullat dhe flokët e zes e bënin më imponuese praninë e tij, megjithëqë ishte nga ata djem që nuk të tërheqin zakonisht vëmendjen. I dobët apo i fortë kundërshtari, e kam edhe unë një huq që i vete sherrit përsipër, kur më erren sytë.
- Keni një cigare? - u zgërdhi tipi pa e prishur gjakun për bezdinë time.
Instiktivisht më shkuan duart nëpër xhepa, si për ta hequr qafe një çast e më parë atë fytyrë të pacipë.
- Thashë mos kishit gjë në çantë, se xhepat i paskeni bosh, - vazhdoi të zgërdhihej paturpësisht aq sa po më shkrepte në kokë për t'u kacafytur me të.
Për fat s'di si u përmbajta dhe ia ktheva me po atë ironi që përdorte ndaj meje:
- Mos jeni gjë xhepaxhi, zotëria juaj?!
- Posi! E kam profesion vjedhjen. Juve, për shembull, jua kontrollova gjithë xhepat dhe nuk gjeta asnjë dyshkë nëpër to.
- Epo, shyqyr Zotit që, gabimisht, i kam rrasur në çantë lekët, - ia prita flakë për flakë, jo pa të dridhura.
- Nuk e besoj! Thuaj më mirë se qenke fundpesëmbëdhjetëditshi, - u tall ai, duke kryqëzuar duart si të më qante hallin.
- Mbase. Po ti bëre si bëre dhe e shfrytëzove rastin, kur shtypeshim në këtë dreq autobuzi, - psherëtiva jo pa habi.
Inati po më shndërrohej padashur në humor. Le që nuk ia vlente të rrihesha me të. Do të ishte më mirë të njiheshim, kështu ma dha truri, prandaj e zgjata qëllimisht bisedën. Kërkova sytë e tij gjithë terr; ishte nga ata që nuk ta shmangte vështrimin, sadoqë pa ngjyrë, veç asaj të paturpësisë.
- Të thashë se jam profesionist. Një xhepaxhi si unë di t'i zhvasë në çdo moment xhepat e njerëzve, - foli fare natyrshëm ai, si të bëhej fjalë për ekzistencën e tij.
- Vërtet? Po ç'të shtyn ta vjedhësh tjetrin? Dikujt mund t'i heqësh edhe riskun e kalamajve, - iu drejtova në mënyrë konfidenciale teksa ecnim, krah për krah, drejt sheshit "Skënderbej".
- Ç'pyetje! Njëlloj sikur të pyesësh ç'e shtyn njeriun të njohë botën. Nevoja, or mik. Më vonë ajo të shdërrohet në ves përzier me kureshtje. Le që në këtë kohë kaq të vështirë a mund të rrohet ndryshe? A s'kam shpirt unë? A s'e kam të drejtën të mendoj edhe unë, sipas mënyrës sime, vetëkuptohet, për shpirtrat që do të më trashëgojnë?
- Thatë se mund t'i zhvatni kurdo xhepat e një personi; momenti më i përshtatshëm për të vjedhur kur është? - i mëshova unë anës kureshtare të bisedës, duke shmangur si të pavlerë anën morale.
E ç'vlerë do të kishte didaktika ime te ky djalë i gatuar kësisoj? Të paktën ta zgjasja për kënaqësinë time këtë dialog kaq të rrallë për të fshehtat e hajdutërisë.
- Për mua nuk ka moment të përshtatshëm. Të vjedh në ç'do kohë, në ç'do pozicion, ditën dhe natën…
- Po si ka mundësi?! - thirra i ç'uditur.
- Fare thjesht. Vjedh gjithçka që vidhet. Bile edhe kohën. Ja edhe tani, në një farë mënyre po të vjedh ty kohën, po ta rrëmbej atë për të plotësuar një tekë, kurreshtje a nevojë timen, quaje si të duash, - qeshi ai.
Në të sjellur i ngjante një tipi hokatar, inteligjent dhe me kulturë, siç thotë populli, brisk nga mendja dhe goja. Po më ngacmonte gjithnjë e më shumë imagjinatën afria e tij.
- Po kështu, gjëra materiale, si lekët e më the të thashë, vjedh?
- Ha, ha, ha! Ato i vjedh me kënaqësi...
- Më konkretisht.
- Përveç Bankës së Shtetit, kam vjedhur gjithçka më kanë parë sytë. Jam i padiskutueshëm, or mik.
- Po mirë, nuk ndieni asnjë shqetësim, brerje ndërgjegjeje, pendim a diçka të kësaj natyre, kur kryeni këtë akt? - u skandalizova unë.
- Ha, ha, ha! Po pse ç'doni ju?! Hajdutit t'i vijë keq për viktimën, ta vrasë ndërgjegja dhe të fillojë të qajë?!...
Heshta një copë herë. Përballë logjikës së tij prej profesionisti ndihesha i dërmuar. Megjithatë, për kuriozitet, vazhdova:
- Si ndihesh kur vjedh xhepin e dikujt, superior apo inferior!
- Inferior ndihem kur jam duke e futur dorën në xhepin e tjetrit, por kur e nxjerr, sidomos me ndonjë shumë të majme, ndihem superior. Xhepat bosh, si të tutë, më zhgënjejnë keqas. Jam gati t'i përvishem viktimës: Turp të kesh, or berbecul, që s'ke asnjë dyshkë në xhep! Vetëm se nuk ma lejon edukata profesionale.
- Po në qoftë se ta kapin dorën?…
- S'më ka ndodhur ndonjë rast, megjithatë do ta hidhja të keqen bukur. Do ta mbërtheja për krahu atë mikun dhe do t'i shfryja në vesh: Të kapa më në fund, qen bir qeni!
- Po si kështu?! Të kapi ai ty dhe jo ti atë..., - kundërshtova unë.
- Ashtu është. Por unë do t'i thosha kështu se vetëm hajduti mund ta zërë hajdutin. Pra, gabimisht, dora ime qenka rrasur në xhepin e një kolegu dhe jo të viktimës që do të dëshiroja. Nuk thotë më kot një shprehje e vjetër: "Hajduti, hajdutin nuk e vjedh"...
- Paskeni shumë imagjinatë, ç'shkollë keni mbaruar? - e pyeta befas, jo pa një farë admirimi për aftësitë që zotëronte.
- Universitetin. Jo, jo. Mos kujtoni se kam qenë burgjeve. Se kështu shprehen ata që kanë bërë mbi 15 vjet burg; thonë kemi mbaruar universitetin. Shumë policë ma kanë vënë syrin, por askush s'më ka zënë ndonjëherë me presh në dorë. Pa prova nuk të mbërthejne dot. Le të dyshojnë sa të duan. Jo më kot jam vjedhës me universitet unë. Tirana ka shumë të papunë me shkollë të lartë, falë ish-regjimit komunist që shitej ai që s'ishte. Disave u dëgjon xhepi se kanë. Puna e tyre ku i kanë zhvatur. Unë që s'kisha u detyrova të vjedh dhe kështu u bëra profesionist. Mos u habit... Ka edhe më keq, or lum miku!… Ne që e deshëm komunizmin do t'i durojmë edhe këto...
- Ju kuptoj, - psherëtiva unë dhe pas pak: - Ku hasen zakonisht hajdutët? E kam fjalën, ku livadhisin më lehtë?
- Dikur nëpër autobuzë, trena, nëpër radhët e pafund të bukës, ushqimeve e vajgurit, kurse kohët e fundit ndryshon puna. Hajdutët gjuajnë, sidomos mitingjet dhe antimitingjet, ku njerëzit e humbasin mendjen pas parrullave politike që hedhin. Politika e hajdutit, në kësi rastesh, është trofeja e zhvatur.
- Të vjedhurit i hyn në gjak si rastësisht njeriut apo mësohet si gjithë zanatet?
- Ta thashë që në fillim, or mik, se për mua hajdutëria është profesion dhe jo thjesht një zanat i rëndomtë si shumë nga zanatet që na mëson jeta. Pra, është profesion, pavarësisht se si i hyhet kësaj rruge, aksidentalisht apo me një pikësynim të caktuar. Në fund të fundit, është pasioni që të udhëheq dhe në zotërimin e këtij lloj arti që ju e quani ves. Juve quajeni si të doni, kurse unë, tashmë, kam bindjen së është një lloj arti që jo kushdo mund ta zotërojë. Kërkon talent, shprehi, konspiracion, pak teori dhe shumë praktikë. Herë-herë është një nga artet më produktivë. Pikërisht këtu e ka burimin edhe rrezikshmëria e tij...
- Pse kështu?! - s'm'u durua mua.
- Sepse zgjon lakminë, makutërinë tek shumë prej atyre që i hyjnë kësaj valleje. I hyjnë me orekse dhe digjen. Të rrallë janë ata që ia dalin mbanë dhe shndërrohen në profesionistë, - ofshau ai si të ndiente keqardhje për tërë hajdutët e dështuar.
Ecëm dhe një hop në heshtje. Këmbët na kishin çuar në sheshin para universitetit. E vështruam atë tempull dijesh, një farë kohe, me një lloj nostalgjie. Secili për hesap të vet. Mbase është ky ndër të vetmit çaste që mund ta vrasë ndërgjegjia këtë djalosh të zhytur në ves, mendova, kur e pashë që s'po ia ndante sytë lehtë ngrehinës përballë. Mbase dhe blasfemon ndaj saj, si gjithë të paudhët kundër Zotit. Ku ta dish?!...
Sidoqoftë seç ndieva për të.
- A t'ju them diçka, sinqerisht?! - e theva heshtjen e padëshiruar.
- Posi. Përgjithësisht më pëlqen sinqeriteti, pastaj ju sepse më hytë në zemër. - ma priti ai me dashamirsi.
- Ma morët nga goja. Sapo desha të shprehja edhe unë për ju të njëjtën simpati, or mik. Me keqardhje po jua them: Gjynah që jeni hajdut...
- Një mënyrë jetese, mor zot. Na e bëri peshqesh papunësia e socializmit, po ta përsëris, megjithëse s'e kam fort për zemër politikën edhe unë si gjithë kolegët e mi... Paraja është politika jonë... Ç’të bëj pa paratë?! Mos dëshironi të vdes nga uria?! Dhe më rrofshin virtytet në botën tjetër...
- S'di ç't'ju them veç asaj që më hytë në zemër… Si e keni emrin? - u dorëzova përballë argumenteve të tij.
- Nuk e di, - qeshi ai. - Sekret profesinal… Por po të them, or mik, se nuk do t'i fus më kurrë duart në xhepat e tu...
- O, ju faleminderit! - u ndjeva jo pa një farë pengu.
- Atëherë, lamtumirë, or mik! Ma bëj hallall! - tha befas dhe u kthye për të ikur.
- Pse lamtumirë?! U takofshim për të mirë, thuaj, - theksova unë disi i shtangur.
- Lamtumirë, or mik, lamtumirë! Ti jeton në dritë dhe unë në errësirë..., - ishin fjalët e tij të fundit para se të më humbiste nga sytë, midis njerëzve që koteshin të papunë nëpër bulevardin kryesor të kryeqytetit.
Nga do t'ia mbathte vallë?!… Ku ta dish?!… Nga errësira doli dhe errësira e përpiu… Errësira e mistereve që bart ende kjo botë...
Ndërkohë, instinktivisht, futa dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës. Bosh! Çuditërisht bosh!… Më kishte avulluar portofoli me pak të holla dhe fotografinë e së dashurës…
Aty për aty më kapëlloi mllefi, mirëpo, në vend të dufit, më shpërtheu një e qeshur si prej budallai. Ec e zëri besë hajdutit, po të duash, qortova veten. Nuk thonë më kot se, kur s'gjen gjësend për të vjedhur, vjedh edhe kapelen e vet...

Shefki Hysa