Friday, March 28, 2008

Monday, March 3, 2008

LEKSION DASHURIE

Tregim

Nuk e di ç’më ndodh, nuk e di… Vërtet nuk e kuptoj dot sesi… dhe as nuk dua ta kuptoj… aq shumë jam lodhur me vajzat… Vajzat, eh, vajzat janë të çuditshme!… Megjithë mend janë të çuditshme!… Ndonjëherë… Jo ndonjëherë, por shpesh… Mbase më duket mua kështu apo?… Jo, sillen të çuditshme… Ndoshta me mua… Me mua po, po!… Me të tjerët, nuk e di… Megjithatë unë i dua vajzat, mjaft të më hyjnë në zemër, se i ka bërë Zoti për t’u dashur… Janë sa për t’u dashur dhe të padurueshme… Ato që kam njohur unë, të mirat dhe… të mirat… Jo, të paktën unë nuk dua t’i shaj, pavarësisht nga sjellet e tyre… Tek e fundit janë vajza dhe kanë nevojë për mua…

Nuk e besoni?!… Është kështu siç ju them: Bien befas në dashuri me mua dhe, o Zot!… Të shëmtuarat më mbahen për bukuroshe, mëkataret më shtiren si të vyrtytshme, djallëzoret më shiten si engjëllore, të pacipat gjoja çapkëne, primitivet si moderne, provincialet më përdridhen si kryeqytetase dhe, kryevepra vajzërore, të përdalat më hiqen si virgjëresha… Si virgjëresha të vërteta! Dhe as që i përfillin faktet kundër tyre. Eh!… Bërtasin, ulërasin e betohen e stërbetohen se janë siç i ka bërë nëna, me demek të paprera me gërshërë e të paqepura me gjilpërë… dhe ki fuqi e kundërshtoi, po munde. Të mbysin. "Mor ti, të thonë, je apo nuk je në vete! Mblidh mendtë e kokës, mor çun, se u bëre gazi i botës!…"

Eh, vajzat!… Të duam, thonë shejtankat dhe më ngjiten e nuk më shqiten… Pa le kur zënë e më japin leksione si më të zgjuarat e këtij të shkreti glob… Mençuria ime nuk pi më ujë para tyre… Më vënë detyrë të dëgjoj përunjësisht dhe unë, dua s’dua, i përkushtohem me mish e shpirt artit të të dëgjuarit. Më mirë të dëgjosh me një buzëqeshje habie, të sajuar në tërë fytyrën, si prej idioti të lumtur, sesa të kundërshtosh… Ruajna Zot! Armiqësohem me to për gjestin më të vogël të pakontrolluar, më turren me tërë armët atomike të fjalës dhe, vetëkuptohet, ndahemi…
Ende nuk ju besohet?! Doni emra? Patjetër! Mbase ju kujtohen: Bedrana, Mariana, Hyria, Maria, Klarita, Marsida, Haxhireja, Xhixhileja… Njëra më e bredhur se tjetra. Këndohen edhe këngë për to. Ca këngë të pikëlluara si vetë dashuritë e tyre…

Tashmë jam ndarë me ato vajza. Për to këndohet, për mua heshtet! Ato rendin në kërkim të famës dhe unë në kërkim të të tjetrave ose më saktë vajzat më gjurmojnë mua si grerëzat nektarin e luleve. Dhe nuk mund të fshihem dot prej tyre. Vijnë ngado dhe më gjejnë kudo. Mjafton të shkëmbej një përshëndetje dhe, herët a vonë, trokasin në kujtesën time me tufën e luleve të Shën Valentinit a të cilësdo festë tjetër… Ju e dini se vajzat i kanë aq të shumta ditët e shënuara në kalendarin vjetor…

Mund të thoni se e kam fajin vetë që i afroj të gjitha, që nuk zgjedh më të mirën dhe ta mbyll njëherë e përgjithmonë këtë histori dashurie të dëshpëruar. Mirëpo nuk është kaq e lehtë t’i japësh mend hallexhiut. Besoj se e keni dëgjuar atë proverbin e djalit, që zë një hajdut dhe kur donte ta lëshonte, nuk e lëshonte dot. Kështu e kam pësuar edhe unë me vajzat, i lëshoj, po nuk më lëshojnë, veç kur ua ka qejfi t’ia mbathin për të hyrë në këngë… Mbase e dini se vajzave u pëlqejnë shumë lajkat, lëvdatat, kushtimet, përkushtimet, veçanërisht poezitë dhe këngët e thurura posaçërisht për to. Madje edhe portretet në pikturë nuk i kanë më fort për zemër si qëmoti…

Për të qenë i sinqertë, jo se nuk e kam provuar recetën tuaj… Dikur vendosa të zgjedh, midis mëtimtareve, të Bukurën e Dheut. Mëtonte se më donte më shumë se të tjerat bashkë, më shumë se veten dhe ishte e gatshme të hynte vullnetarisht në gojë të kuçedrës, po t’ia lypja një sakrificë të tillë. Dhe u deshëm… Domethënë diktonte ajo dhe dëgjoja unë… Ta themi mes nesh, ishte fyçkë nga mendja, sikur e kishte humbur trurin diku në bodrumet e kështjellës së botës së përrallave… Në shenjë të dashurisë më ngarkoi një mal me detyra, që unë i mbaja në shpinë për hir të asaj ndjenje të shenjtë, që më kishte blatuar.

- I dashur, përveç të tjerave, për të përjetësuar dashurinë tonë, dua patjetër që çdo ditë të më thurësh një poemë për mëngjes, një prozë poetike a një tregim romantik për drekë dhe një këngë për darkë. Kënga dua t’i ngjajë një ninulle, që të më përkundë drejt Mbretërisë së Gjumit. Dua një novelë për bëmat e mia javore, një epos për heroizmat mujore dhe një roman për çuditë motake. Dhe mos harro: Një telenovelë në çdo përvjetor të dashurisë!… – më çuçuriti në vesh e dashura, pasi më ciku paksa me atë magjinë e buzëve të saj.

- Për ty jap edhe jetën, e dashur! - iu përgjërova.
- Jo, jetën ruaje për detyrat dashurore, o Qerosi im, o më i mençuri i djemve! - më këshilloi ajo me atë zërin joshës.

I hyra punës si i urituri bukës. Punoja për të madhështuar të dashurën, aqsa harrova edhe vetë dashurinë… Se mos kënaqej kaq lehtë e Bukura e Dheut, do thoni ju?!… Më pëshpëriste e më pëshpëriste në vesh se isha Qerosi më i ngathët në botë që kishte njohur, se tashmë kishte dalë në skenë edhe ai, Divi, i Bukuri i Dheut, dhe mjaft që t’i kthente cepin e syrit dhe e bënte skllavin e vet e mua më flakte kushedi se ku, larg e më larg saj… paçka se tjetri, jarani, ishte mendjefyell… Unë i besoja dashurisë sime, jo fjalëve të saj, qoftë edhe të hidhura… Buzëqeshja i lumtur dhe rendja si maratonomak drejt majës së malit të detyrave. Mençuria ime himnizonte për ditë, javë, muaj e vite hiret e së Bukurës së Dheut dhe ajo, dikur e panjohur, (e kush mund ta vriste mendjen për atë bukuroshe të harruar në atë kështjellën e humbur, në një qoshk të botës së përrallave, ruajtur nga kuçedra, prej së cilës e çlirova unë, Qerosi i varfër i botës së njerëzve të vdekshëm), tashmë pushtoi me bukurinë e saj krejt rruzullin tokësor… Pushtoi zemrat e divave bukuroshë dhe më harroi mua, shpëtimtarin e saj… Pallate prej ari e kështjella mbretërore, ndërtuar me gurë të çmuar, i falën divat dhe e Bukura e Dheut, e stolisur me stolitë më të shtrenjta, rrezatonte bukuri veç për ta. Mua, mosmirënjohësja, më kthente vetëm turiçkën e thartuar dhe ironizonte:

- Shihu në pasqyrë, Qeros i dashur! E dallon shëmtinë tënde, o varfanjak i përjetshëm?!
- Dalloj veç mençurinë time, që të shpëtoi ty nga skutat e përrallave, nga robëria e verbër e kuçedrës dhe të shpalli më të bukurën e botës njerëzore, - i përgjigjesha jo pa dhembje.
- E sa vlen mençuria jote para pasurisë që të dhuroi bukuria ime?! – skërmitej ajo.
- Vlen më shumë se gjithë bukuritë dhe pasuritë. Vlen më shumë se lajkat e bukuroshëve budallenj, të cilët zvarriten duke të puthur këmbët… Mençuria ime të shpëtoi jetën, pa të cilën nuk kanë vlerë hiret dhe stolitë e tua, - psherëtija unë, dashurihumburi.
- Nuk e dua jetën, ia fal përsëri kuçedrës, vetëm të mos jetoj pranë teje, që s’ua di vlerën pasurive, - gërthiste ajo e rendte pas divave mëtimtarë.
- Ia fal me fjalë, jo me vepra, moj e Bukura e Dheut! Provo e mbyllu në kështjellën e kuçedrës dhe do ta ndiesh përsëri vlerën e mençurisë sime, - nëpërdhëmbja, derisa e Bukura e Dheut më ndërroi përgjithmonë me mirazhin e divave…

Më mbetën mua pasuritë, por nuk më hynin në sy, zemra më qante për dashurinë… U betova të mos lidhem më me vajza si e Bukura e Dheut... Vendosa t’ua kthej sytë të shëmtuarave dhe zgjodha njërën, atë më fukareshën, që përgjërohej se më donte aq shumë, sa ishte gati të mbytej edhe në një lugë ujë… E bëra zonjë të sarajeve që trashëgoja prej së Bukurës së Dheut. Dhe ndihesha aq i lumtur, sillesha si i verbër e nuk shihja ç’bëhej rrotull meje… Edhe në gjumë jetoja me imazhin e së dashurës, që më stërbetohej për besnikëri gjer në vdekje…
Një mëngjes u zgjova përsëri i braktisur. E dashura ishte zhdukur bashkë me pasuritë e mia. Ajo, shëmtaqja, ndryshe nga e Bukura e Dheut, që me hiret e veta grumbullonte dhurata dhe pasuri në këmbim të dashurisë, falte pasuri për të zbukuruar shëmtinë e saj në sy të jaranëve…

- O Zot! Ajo vajzë shpirtin e kishte më të shëmtuar se fytyrën! - klitha gjer në kupë të qiellit, por më kot…

Po qeshni me mua?! Mos qeshni, po t’i keni dy pare mend në kokë, dëgjojeni gjer në fund leksionin tim: "Qesh më mirë, kush qesh i fundit", thotë një shprehje e urtë… Dhe dikur do të qesh unë me pësimet tuaja… Pushuat së qeshuri dhe po rrudhni fytyrën?!… Mesa duket nuk ju pëlqeu vërejtja… Si të doni, veçse unë ju jap të thartat në fillim dhe të ëmblat në fund, siç e do zakoni njerëzor, e jo së prapthi, siç i pëlqen djallit, kur të torturon me bëmat e veta… Dëgjojeni gjer në fund leksionin dhe mos ia shisni shpirtin qoftëlargut…

Ku e lamë?… Ah, po!… Fillova të ruhem prej të gjitha vajzave. U shmangesha, sapo i shihja, megjithëse, të them të vërtetën, zëmra nuk më gjente prehje larg tyre… Vajzat përkundrazi nuk më ndaheshin. M’u qepën me bukë në trastë, derisa dikur u dorëzova… Më duket se ishte Shën Valentini atë ditë dhe vajzat më mbuluan me të puthura dhe me lule. Ishin një tufë, njëra më lajkatare se tjetra. Të gjitha betoheshin, si në një kor magjistricash, se linin kokën pas meje. Për to isha Qerosi më i mençur dhe më i guximshëm në botë. Mor po isha Qerosi më i bukur, më lajkoseshin e më dridheshin e përdridheshin njëra më balerinë se tjetra. Do ti që më dehën lajkat e tyre dhe ma zbutën zemrën?!… Dalëngadalë po më mbushej mendja se isha vërtet Qeros përsëmbari… Jo se isha vërtet Qerosi më i bukur, këtë nuk e haja unë e askush tjetër… Dihet që bota ka qeroeë të zotë, por, aha, qenia e qerosëve të bukur është veçse një rrenë me bisht… rrenë vajzash…

- Më zgjidh mua, i dashur. Shihmë mirë, jam kaq e lakmuar: Sojleshë, bojleshë, kaleshë. Jam prej fisi dhe, po nuk të thashë fjalën, do të të bëj djalën, siç thotë ajo shprehja popullore për vajzat e llojit tim, - u hodh ajo më shtatlarta dhe u turr e më dha një të puthur në buzë, sa më erdhi mendja rrotull një copë herë…

Mblodha veten dhe e vërejta me kujdes… Vërtet që nuk kishte të sharë. Megjithatë nuk vendosa menjëherë. Për t’u paraqitur sa më i respektuar ndaj hireve vajzërore, thashë se isha i gatshëm të pranoja atë që do të fitonte garën e shkathtësisë midis tyre. Më e shpejta, më e shkathta. Llojin e garës le ta zgjidhnin vetë…

Ç’ndodhi, do thoni ju?!… Vetëkuptohet, lufta për ekzistencë midis llojit… Ende pa e mbaruar mirë fjalën unë, ato ia krisën sherrit për flokësh, me grushta e me shqelma. Një betejë e vërtetë, që zgjati pak minuta, i shtriu përtokë të gjitha vajzat. Lëkundej ende në këmbë ajo, e fismja…
Buzëqesha dhe iu drejtova për ta përqafuar, por, sa pa iu afruar, u këput e ra edhe ajo, mbi të tjerat, duke dihatur…

- O Zot! Nuk qenka as kjo për mua, - nëpërdhëmba i vrarë në shpirt me mendimin për t’u larguar në kërkim të ndonjë vajze tjetër…
- Ku shkon, mor Qeros i pabesë! Këtu!… Do të zgjedhësh patjetër një nga ne! - shpërtheu befas kori i magjistricave…

Vajzat sakaq kishin mbledhur forcat, u çuan dhe m’u turrën sikur do të më hanin të gjallë. Mendova se aq e pata, se ashtu të zemëruara do të më përpinin me gjithë eshtra…

I dhashë kurajë vetes dhe symbyllur ua ktheva vajzave me sa fuqi kisha:
- Nuk thotë më kot populli se po u ngatërrove me krundet, do të të hanë pulat… Këtu më kini, moj zoçka! Le të më çukisë e para ajo që është më e shëmtuara…
Prita i pezmatuar fundin e tmerrshëm…
- Unë jam më e bukura dhe të puth e para! - ndjeva papritur një zë të ëmbël drithërues, të shoqëruar me një të puthur edhe më të ëmbël në buzë.

Hapa sytë i çuditur… Vura re se vajza e puthjes ishte më e shëmtuara… Një shëmtaraqe që o Zot, o Zot!…

Një zë brenda vetes më thoshte se mund ta pësoja edhe më keq me trillet e befta të këtyre bukurosheve, prandaj, aty për aty, më shkrepi t’i provokoja edhe më rëndë. Më mirë të më gllabëronin, sesa të më mbetej ndonjëra në derë…

- Le të vijë të më godasë ajo më budallaqja, po ia mbajti! – klitha i krekosur si gjel.
Një vajzë e shëndoshë dhe e trashë sa për dy njëherësh, u shkëput prej grupit dhe m’u afrua, duke u tundur si patë. Përfytyrova në çast sesi do të më nxihej menjëherë faqja, sikur të haja një shpullë prej saj, dhe u pendova për atë trimëri të rreme që po demostroja…
- Unë jam më e mençura dhe guxoj të të puth! - tha ajo e qeshur dhe plluq më mbuloi buzët me një puthje jargësh…
Ndjeva një lloj neverie, që më nxehu edhe më keq, aq sa bërtita rishtas:
- Le të provojë të më qëllojë më e përdala midis jush!…
Nga turma e vajzave u shkëput një fytyrë e pashme, me një trup të hijshëm, me forma tejet lakmuese, për të cilën flitej se kishte qenë prostitutë për ca kohë…
- Unë jam e vetmja virgjëreshë mes këtyre vajzave dhe të puth me dashuri! - më këngëzoi ajo në vesh, pastaj më përqafoi, më shtërgoi në krahëror dhe më dha një të puthur marramendëse…

Më dehu puthja, sikur të ishte shkëputur nga buzët e një djallusheje, megjithatë i papërmbajtur thirra:
- Asnjëra nuk guxon të më qërojë nga faqja e dheut?!… Le të afrohet ajo më e djallëzuara… Ajo që ka marrë në qafë sa e sa djem… Le të më çojë edhe mua në ferr, po mundi…

Grupi lëvizi. Kësaj here e hëngra, më duket, thashë me vete, kur pashë një kuqëse, një dhelparake, nga ato për të cilat thuhet: "Zoti na ruajt!", e cila u afrua serbes-serbes pa m’i ndarë një palë sy të kaltër, që të hipnotizonin me atë vështrim depërtues vërtet prej djalli.
U mbusha me frymë dhe mbylla sytë për të mos parë se çdo të më punonte…
- Unë jam engjëll dhe të fal puthjen time të bekuar, o Qerosi im i dashur! - tha ajo dhe ma përjargu tërë ballin.

Mbeta i çarmatosur. Më kishin asgjësuar me butësi, teksa prisja shpërthimin e demonëve nga shpirtrat e tyre…
- Vajza provinciale, primitive, të pamoralshme, mëkatare, ejani dhe më godisni sa t’ju hajë krahu, më shpartalloni, më gllabëroni, më përdhunoni, bëni ç’të doni veç mjaft me të puthura, se nuk e duroj dot dashurinë tuaj të shtirur! - bërtita e bërtita si fëmijë prej një inati të marrë, duke e përplasur këmbën fort tokthi…
- E meriton dashurinë tonë, i meriton puthjet tona, o Qerosi bukurosh! – brofën ca zëra dhe ndërkohë nja katër a pesë vajza më mbuluan me të puthura…

Ky ishte kulmi. Vallë nuk kishte fjalë fyese që t’i detyronte ato marruke të ekzekutonin vendimin që morën në fillim për të më zhbërë si njeri?!…
- Vajza frikacake! Nuk vleni as dy lekë të gjitha bashkë! – u gërmusha dhe ndërkaq ktheva kurrizin për t’u larguar…
- Jemi trimëresha! Jemi trimëresha! Jemi trimëresha!… – gjëmoi kori pas shpinës sime, aqsa ia dhashë vrapit i sigurt se kësaj here nuk kisha më shpëtim…

Vajzat ishin vënë në një garë vrapi. Sado që dredhova dhe u futa në një korije pishash buzë një liqeni, ato nuk më ndaheshin. Më ndiqnin gjithë brohoritje. Më të shkathtat, si të ishin me shtatë shpirtra macesh, më prenë udhën dhe, në pak sekonda, rashë në atë rreth hokatar… Bëheshin afro tridhjetë vajza…

Mbulova kokën me duar, si për t’u mbrojtur prej goditjeve, mirëpo në një grimë herë më rrëmbeu një vorbull të puthurash e jargësh. U qulla i tëri, si prej një shiu vjeshte, aqsa pata përshtypjen se po më mbysnin me të puthura… Mendova se do të isha i vetmi rast në botë i vrarë prej puthjeve… Do të shkruanin gazetat, nga njëri shtet në tjetrin, nga lindja në perëndim, se Qerosin, çlirimtarin e të bukurës së Dheut, e vranë jargët e puthjeve të një tufe vajzash… Dhe u tulata nën zjarrin e puthjeve dhe shiun e jargëve me të vetmin mendim në kokë…

Nuk mbaj mend sesi erdha në vete… Rrotull pisha shtatlarta dhe heshtje… Më poshtë kaltëronte liqeni. I heshtur edhe ai… Po vajzat, ku ishin zhdukur?!… Gjithandej, sa të hante syri, nuk dukej këmbë njeriu…

Psherëtiva dhe ndjeva se m’u dhimbs vetja në atë shkreti pylli. Me sa duket më kishin braktisur të gjitha vajzat: Të bukurat dhe të shëmtuarat, të mençurat dhe budallaqet, virgjëreshat dhe të përdalat, të virtytshmet dhe mëkataret, të hollat dhe të trashat, të shkurtrat dhe të gjatat, biondet dhe brunet, flokëdrejtat dhe flokërrodhet… Më kishin braktisur të gjitha, të gjitha, të gjitha… Mua Qerosin e famshëm, shpëtimtarin e Kryebukuroshes, të shumë bukurosheve dhe të sa e sa vajzave të zakonshme… Më kishin braktisur në vetmi të plotë, si një dru të thyer të atij pylli shkretan…

Jo, vajzat, ato mosmirënjohëse, nuk e meritonin dashurinë time!…

Psherëtiva rishtas, teksa zura t’i tërhiqja vëretje vetes: "Kërkova dashuri për etjen e shpirtit, por gjeta fjalën dhe buzëqeshjen e gënjeshtrës, gjeta përkëdheljen dhe puthjen e mashtrimit… Tani shpresoj… I lutem Zotit që dashuria të jetë lënda e përtejvdekjes… Jam i lodhur, le të vdes!"…


SHEFKI HYSA