Wednesday, May 21, 2008

PERANDORIA E IDHUJVE

Vonë, shumë vonë, e kuptova se përballë kisha po Ata. Se më duhej të luftoja me Ata. Nuk e di po atë grimëherë që më vetëtiu në kokë ky mendim dhe i përfytyrova po Ata në piedestalet e dikurshme, me të vetmin ndryshim se sfondi, tanimë, nga i kuq ishte shndërruar - në blu e mandej në një gri mugëtire, vetvetja m'u përqas në trajtën e Sizifit. Dhe sepse më erdhi për të vjellë. Jo, jo nga absurdi i kësaj bote! Më tepër, ndoshta, nga humbja e ekuilibrit a pafuqia e çastit. Në piedestale po Ata! Mantelkuqtë! Tanimë, detyrimisht, me mantele gri, si hija e mallkimit që i rëndonte këtij vendi teksa zhytej në muzgun perandorak që buronte nga shtatoret e idhujve. Idhuj me krena. Idhuj pa krena. Idhuj që i huanin kryet njëri-tjetrit. Idhuj që i vidhnin kryet njëri-tjetrit. Idhuj që i hanin kryet njëri-tjetrit. Idhuj që çarteshin si e si të mbijetonte Perandoria e Piedestaleve. Dhe ajo vërtet po mbijetonte, në këtë vend shpatullthyer nga pesha e piedestaleve...

Uuuaaaëëëkkk, m'u mblodhën rropullitë në grykë. U përkula si prej peshës së tyre, buzë ujërave të Lanës dhe ashtu gojëhapur, jo pa tmerr e dhembje, prisja të shihja një rrokullimë makabre: stomak e zorrë që turreshin tatëpjetë si guri i Sizifit. Mirëpo asgjë për t'u shqetësuar, veç ca shkulmesh vreri që shpërthyen përmes buzëve e hundës sime. M'u errën sytë, m'u fik vështrimi, një hop, si të qe intonuar me mugun perandorak.

Pastaj, ashtu si nëpër gjysmëterr, pashë ujërat e Lanës të rendnin dallgë-dallgë turbullt e më turbullt, të fryra e të ngjyrosura prej vrerit tim. Një vërshim ujërash i beftë e marramendës, si të qenë përmbledhur nëpër shtratin e Lanës rrëketë e panumërta të një rrebeshi të egër që i qe turrur egërsisht kryeqytetit, Tiranës, e mbarë Shqipërisë - Perandorisë së Idhujve. Ujërat verdhashë, një rrëmbim i frikshëm lëtyrash të skëterrshme, fërshëllenin tani, në sytë e mi, e unë kurrsesi s'mund ta besoja që vreri i brendisë sime të ishte kaq i përbindshëm, të kishte forcën çudibërëse të erërave të çliruara prej kacekut të Eolit apo kapriçiot e tërbuara të dhjetëra xhindeve të lëshuara njëherësh nga amforat e përrallave të njëmijë e një netëve arabe. Jo, kurrsesi jo! Po lajthisja prej habisë. Megjithatë duhet të qe ashtu. Apo, mos vallë, të tjerë të zhgënjyer, si dhe unë, ndërsa zhgërryheshin, përbri Lanës, shpërthyen njëkohësisht vrerin e neverisë ndaj amëshimit të Perandorisë së Idhujve?! Ndryshe nuk ka si shpjegohet fryrja e jashtëzakonshme e Lanës.

Ujërat e saj verdhanë, ashtu të rrëmbyer, mbushën shtratin e zunë të derdhen brigjeve për të mbytur, pas pak, bulevarde e trotuare e më tutje u ndrynë kërcënues nëpër të gjitha sheshet dhe lulishtet e Tiranës, në të gjitha institucionet, aty ku ngriheshin piedestalet.

Sakaq Tirana, duke filluar që nga "Dajti" e në ngrehinën e Parlamentit, në sheshin "Skënderbej" e, më tej, përqark "Lidhjes së Shkrimtarëve" e "Lidhjes së Gazetarëve" në njërën anë, kurse në tjetrën duke përfshirë Presidencën, Pallatin e Kongreseve, hotel Rognerin, selinë e Qeverisë dhe të partive të ndryshme politike; po përjetonte e shushatur grimasat e një katastrofe biblike. Mos vallë kaq e pat Perandoria e Idhujve?! Mos ia kishte behur kështu fundi i saj, për t'u zhytur njëherë e mirë, kokangulthi, në muzgjet e paanë ku qe rroposur edhe ish Perandoria Bizantine?!... Cili do të qe Noeja i ri që do të bartte me barkën e vet, nëpër vorbullat e zemëruara, farën e idhujve të së ardhmes së kësaj perandorie?!... Patjetër ndonjë nga ata të flirteve të "Dajtit"... Sepse nëpër kryet e tyre e kanë kurdoherë zanafillën profecitë e së ardhmes të kësaj perandorie të krisur e restauruar me dhjetëra e dhjetëra herë... Patjetër një nga falltarët politikë të "Dajtit"... të "Rognerit"...

Vrulli i ujërave më kishte përplasur edhe mua si një lëvere mbi një bllok prej mermeri e betoni që mundohej të sfidonte dallgët larashe. Ende i hutuar prej atij fluturimi, si me magji, dhe prej dhembjeve që më shkaktonin brinjët e shkallmuara nëpër këmbët e piedestaleve, prej brigjeve të Lanës e gjer mbi kreshtën e asaj tumule, ku mezi mbahesha, nuk isha në gjendje të orientohesha.

Vetëm pak çaste më vonë, kur sytë më shkanë padashur mbi monumentin e paepur të kryetrimit Skënderbe, majë kalit të vet legjendar, kuptova me tmerr se kisha ngecur mbi piedestalin bosh të ish Diktatorit. Rreth e rreth veç valë të furishme ujërash.

Skënderbeu madhështor, mbi kalln e vet, sikur nxitonte të më shpëtonte prej ngurtësimit mbi piedestal. Ç’llahtarë! Unë një shtatore e gurtë që do të më zvarriste koha prej atij piedestali, siç zvarriti edhe të zotin e tij?! Skënderbeu atje tej matej me rrjedhat, kurse unë...

O Zot, më shpëto nga kjo e keqe! Mos më shndërro, moj kohë, në shtatore… Nuk i përkas racës së idhujve! Kështu klithja në vetvete dhe ëndërroja që ato valë, që rastësisht më lanë në atë piedestal famëkeq, të më flaknin qoftë edhe në ferr, veç larg, sa më larg piedestaleve.

Befas më rrokën duart e dikujt… Ishin dy, katër... shumë duar që ngriheshin prej botës së nënujshme që mbulonte Tiranën. Duart mundoheshin të më shkulnin me forcë prej piedestalit ndërsa ca zëra nënujorë ngrenin stërkala lëtyrash e gurgullonin:

- Jam Dullë Baxhaja, shumëduarshi, shumëzërshi, shumëfytyrëshi, shumipadukshmi, shumikudondodhuri! Dëgjon?! Jam Dulla, shpirti i Dullës së Madh, Dullës që jeton e do të jetojë në shpirtrat e sa e sa Dullëve që do të dalin prej idhujve për të zënë piedestalin e Kryeidhulllt të kësaj perandorie! Dulla është gjallë. Do ta zërë përsëri këtë piedestal, nëpër këtë muzg gri, me mantelln gri... Larg, sa më larg këtij piedestali, ti, grimcë njerëzore… krijesë idhujsh... ti, hiç!…

Ndjeva trupin të më pllaquriste rishtas nëpër dallgët e rrëmbyera. Më kishin flakur larg piedestalit shërbëtorët e Kryeidhullit të ri të perandorisë. As të ngushëllonte dhembjen s'arrinte dot njeriu i thjeshtë pranë atyre ishujve lavdie, pronë idhujsh. Piedestalet kërkuakan vetëm përulje, vetëm adhurim, qofshin edhe bosh, mendoja tek kacafytesha me valët.

Shqipëria është perandoria më fatkeqe në botë. Është një perandori e vogël idhujsh të mëdhenj që pjellin të tjerë idhuj... O Zot! Sa pakës vend zënë njerëzit në këtë vend!... Sa e papërfillshme është hapësira e lirisë së tyre në krahasim me madhështinë e idhujve... Njerëz të robëruar prej idhujve... Njerëz që gëzojnë të vetmin privilegj: adhurimin e verbër të idhujve...

O Zot! Mjerë ne shqiptarët dhe Shqipëria-Perandoria e Idhujve të Pavdekshëm! Kështu klithja gjer në kupë të qiellit, po çuditërisht zëri im zhbëhej në akustikën e ngrehinave të kulteve të idhujve që shkëlqenin gjithandej... Përkundër zërit tim të vdekur kumbonte jehona e zërave të korit të besimtarëve idhujtarë, që shumëfishohej pambarimisht...

Dalëngadalë po kuptoja se vlerat njerëzore nuk e kishin më rëndësinë e tyre në këtë perandori. Po veniteshin përballë shkëlqimit të idhujve. Nëpër ajër mund të nuhatje vdekjen... Tani e tutje Perandorinë e Idhujve mund ta quaje pagabuar edhe Perandori e Vdekjes...

Shefki Hysa

No comments: