TURTULLESHA DHE DJALLI
Na ishte njëherë një djalë e një vajzë, që jetonin në krahinën e Çamërisë, në një fshat malor buzë një pylli me lisa. Vajza quhej Turtulleshë dhe djali Shushurimë. Të dy barinj: djali kulloste dhentë, vajza dhitë. I merrte nga shtëpitë agu i mëngjesit dhe i kthente mbrëmja. Gjithë ditën bashkë. Laheshin me shkumën e ujëvarave që ushqeheshin nga dëbora e majëmaleve. Pinin ujë gurrash që buronin nga të çarat e shkëmbinjve, rridhnin tatëpjetë në rrjedha të vogla, që frushullonin përmes barit të njomë dimër e behar dhe derdheshin në përrenjtë e rrëmbyer, zajet e të cilëve xixëllonin si gurë të çmuar nën dritën e diellit dhe të hënës. Bridhnin si sorkadhet shkëmb më shkëmb. U ngjiteshin lisave majë më majë, kacavireshin degë më degë e kurorë më kurorë, me gurgullima të qeshurash, aqsa ngazëllenin edhe ketrat. Lodronin e lodronin.
Ndiqeshin e fshiheshin zgavër më zgavër e shpellë më shpellë gjer në skutat më të thella. Zgjonin nga gjumi egërsirat që merrnin arratinë. Ngacmonin pëllumbat, që vërtiteshin trumba trumba përmbi pyll, dhe nxisnin këngët e shpezërisë. S'kish fole zogu a strofkë egërsirë që t'u shpëtonte syrit të tyre. S'kish lule, bar a drurë që të mos i njihnin. Dinin tërë të fshehtat dhe gjuhët e pyllit, imitonin lloj-lloj zogjsh e kafshësh. Me një fjalë ishin zotër të natyrës përqark…
Vetëm kur djersiteshin e lodheshin nga lodrat, që sajonte fantazia e tyre e ndezur, vajza i thoshte djalit:
- Eja, Shushurimë, të pushojmë, - dhe turreshin të zënë për dore drejt lëndinave.
Shtriheshin mes luleve e barit, ballë për ballë dhe rrekeshin për t'u parë në sytë e shoku-shokut ashtu të dehur nga aromat e këndshme që ngopnin ajrin. U flakërinin sytë nga ca zjarre të fshehura thellë në gji. Vështroheshin e vështroheshin e përhumbeshin në një lloj malli të pakuptueshëm që ua lulëzonte ndjenjat, ua rriste shtatin dhe i afronte përditë e më shumë…
- Eja, Turtulleshë, po na lë dreka, - thoshte djali kur i merrte uria.
Rrëmbeheshin përkrahësh dhe suleshin drejt bagëtisë. Ishin të buta manare, dhentë e dhitë. Mblidheshin me blegërima kënaqësie sapo u bënin zë djali e vajza. E ata shuanin urinë drejt e në thithat e gjinjve si qengjat e kecat. Pinin e pinin sa ngopeshin me qumshtin e vakët. Dhe për ditë ndienin sesi bëheshin të bukur si edhe vetë natyra ku gjallonin. Dhe për ditë e më shumë kuptonin se ishin lindur për shoku shokun...
Mirëpo ç'ndodhi më tej? Shoqëria e tyre na i ra në sy jo vetëm fshatit, por edhe qoftëlargut, djallit. I patën zili moshatarët, i pati zili edhe djalli…
Dhe mos të pastë kurrë zili qoftëlargu!…
Një ditë nga ditët, i paudhi iu shfaq vajzës me pamjen e një shoqeje dhe, pasi i preu udhën, zuri t'i pëshpëriste se Shushurima nuk ishte ai që dukej, por shejtani vetë… A nuk ishte më i zgjuar, më i shkathët, më i shpejtë dhe më i fortë nga djemtë e fshatit?!… Po, po!… A nuk sillej ndryshe nga njerëzia?!… Po, po!… Marrëzi pas marrëzish bënte për t'u shitur si askush tjetër!… Po, po!… A nuk ishte një sjellje e tillë djallëzi?!… Po, po!… Djallëzi për të mashtruar atë, Turtulleshën!...
Dhe këtë e bëri i paemri të nesërmen, të pasnesërmen, ditë, javë e muaj me radhë, derisa ia prishi mendjen vajzës…
Tani ajo e shihte me mosbesim guximin e tepruar të Shushurimës. E trembnin kokëshkrepjet e tij që më parë e joshnin aq shumë…
"Hë, Turtulleshë, a nuk është Shushurima vetë djalli?!… A s'të thashë?… Shihe, shihe si fluturon nga shkëmbi në shkëmb, nga lisi në lis?!… Dhe s'paska krahë zogu!... Shihe, shihe si e thëthin qumështin e gjirit të deles dhe të paska mësuar edhe ty!... Shihe si i përkëdhelen drerët, si mëshqerra!... Askujt nuk i shkojnë në mendje këto, veç Shushurimës... Ç'emër i çuditshëm! Ç’emër i shëmtuar si vetë të pabërat e djallit!"... I jehonte kështu herë pas here në veshë Turtulleshës zëri i shoqes, në pamjen e së cilës fshihej qoftëlargu...
Dhe vajza tundte kokën gjithnjë e më e zymtë. Errej e gdhihej me një pikëllim të heshtur që ia gërryente zemrën. Dhe përherë më e ftohtë, më e ngrysur rrinte. Priste rastin t'i largohej Shushurimës, megjithësë diçka e mbante lidhur pas tij… Ca fije të padukshme për sytë e saj… Ndoshta fuqia magjepsëse prej djalli?!…
Kjo e tmerronte vajzën, sado që edhe besonte edhe jo në të qenurit e djallit. Përrallat thoshnin shumë për prapësitë dhe ligësitë e tij. Të qenë të vërteta vallë?… Ku ta dish?!...
Dhe i vinte keq që kishte humbur e po humbiste ende kohën me atë të paudhë... Madje për të qarë… Megjithëse ç'të keqe kishte parë prej tij?… Mos ndoshta do ta pësonte më vonë?!… Dhe dridhej e tëra si nga ata korrentet e shpellave të errëta e të lagështa të malit.
Ja, aty strehohen djajtë!...
"Sa poshtë ke rënë, i thoshte vetes ajo. Po edhe diç ke fituar ama, e kundërshtonte një zë i brendshëm, ndoshta zëri i vetë djallit, Shushurimës... Po si s'më pyet ai, pse jam mbyllur kështu në vetvete, habitej ajo. Edhe ai është bërë fjalëpak, megjithëse vazhdon të lodrojë si më parë… Ta ketë kuptuar hilen vallë?!… Patjetër, përndryshe s'do të ishte ky që është"!...
Po e cfilisnin dyshimet dhe hamendjet Turtulleshën aqsa një mëngjes nuk duroi dot më dhe iu drejtua e dëshpëruar djalit:
- Ti s'je njeri i mirë, mos t'i pafsha më sytë, Shushurimë!...
- Eja në vete, Turtulleshë!... - klithi djali dhe iu pre gazi në buzë, iu rrëqeth shtati, u drodh si fletë lisi nga bubullimat.
- Po, po! Ti je djalli vetë! Mos guxo të më dalësh më përpara! Të vraftë mallkimi im, të vraftë Shushurimë, se më ke mashtruar! - mallkoi dhimbshëm vajza dhe mbylli sytë për të mos e parë më kurrë atë fytyrë dikur aq të dashur...
- Turtulleshë!... Ti nuk më do më?! - briti i shpërfytyruar djali dora e të cilit mbeti e ngrirë pas një fijeje floku të vajzës.
- Më therin sytë! Të urrej! - thirri ajo dhe djali ngriu i tëri si të ish goditur nga një shkrepëtimë.
Pastaj ndjeu se si trupi i tij i përvëluar po avullonte dalëngadalë dhe përzihej me ajrin që zuri të vorbullonte dhe të drithërohej gjithandej, duke ua përcjellë edhe lisave ethet e veta…
Frushullonte ajri, shushurinin gjethet, shushurinin flokët e vajzës, shushurinte gjithçka, për habinë e saj. Dhe i bëhej asaj se e ledhatonte ëmbël një dorë e padukshme. Po ajo nuk i hapte sytë… Kujtonte se e kish pranë Shushurimën, i cili donte ta merrte me të mirë, ta zbuste…
Po më tepër kreshpërohej ajo… I shtrëngonte fort qepallat, megjithatë edhe në errësirën përbrenda tyre hyri që hyri hija e Shushurimës. S'i ndahej lehtë ai. Kurrë s'kish për ta lënë të qetë… Prandaj ajo hapi sytë të kacafytej për jetë a vdekje me djalin-djall...
Përpara asgjë, as djathtas e majtas, as afër e larg… Asgjë gjithandej… Asgjë nuk i zinin sytë, përveç barit e gjetheve që përkundeshin si kurrë ndonjëherë… Ku të ishte zhdukur Shushurima?!…
- Shshshuuu! - shushurinte ajri dhe drithërohej natyra.
U drithërua edhe ajo nga fërfëlliza, nga vetmia që e rrethonte. I regëtiu zemra dhe befas boshllëkun që ndiente ia mbushi një mall i çuditshëm për djalin-djall. Donte ta urrente e s'e urrente dot. Donte ta zbonte nga kujtesa e s'e zbonte dot. Hija e tij sillej sa jashtë dhe brenda qenies së saj. Po ai vetë ku të ishte futur?!…
Malli po ia roniste krahërorin…
- Shushurimëëë! - thirri me gjithë fuqinë e zërit të saj vajzëror, por askush s'u përgjigj, veç kësaj lëvizjeje të re të ajrit, i cili, ku përplasej me bar e gjeth, shushurinte lehtë e vajzës i bëhej se dikush i murmuriste fjalë malli…
Befas diç nuhati ajo dhe i dhembi zemra. Sytë iu mbushën me lotë. I rrodhën e i rrodhën lotët faqeve e nëpër trup. U qull e tëra si nga një shi lotësh, si t'i ishte përlotur krejt qenia. E lotët dalëngadalë u shndërruan në pendë të shndritshme dhe vet ajo në një zog të paparë ndonjëherë atyre anëve…
Lëvizi krahët, tanimë me pupla, i përplasi fort si t'i shkundte dhe, pas pak e pa veten në ajër. Loste ajri me të, loste ajo me ajrin. Dhe, teksa ndiente përkëdheljet e tij, që i zgjonin përbrenda një mall të vjetër, hapi gojën për të folur, por, në vend të fjalëve, i rrodhën një varg tingujsh melodiozë: ishin notat e para të një kënge të re zogu!...
Pylli shushurinte i blertë poshtë Turtulleshës...
***
Në mbrëmje dhentë e dhitë u kthyen pjesë-pjesë në fshat. Ca humbën nëpër pyll e ca u bënë pre e ujqëve… Po barinjtë? Mos ishin rrëmbyer me shoku-shokun, siç pëshpëritej poshtë e lartë nga gojët e liga?…
Sidoqoftë, fshati u alarmua dhe njerëzit e mirë rendën në kërkim të tyre. Brodhën ditë e netë me radhë e askund nuk i hasën gjurmët e djalit e të vajzës…
Ndërkohë njerëzit vunë re lëvizjen e çuditshme të ajrit si një murmurimë e pafund llafesh… Llafe të liga!… Thashetheme!… S'kish të pushuar shushurima e ajrit… Herë mekej e herë-herë rrapëllinte e fshinte ç'gjente përpara...
Duan të thonë se njerëzit kësaj shushurime i vunë emrin erë. Pra, llafe në erë… erë… Pikërisht në këtë shprehje e ka zanafillën ky emërtim i ri, sipas etimologjisë popullore çame... Dhe qysh atëherë, thuhet se lindi era...
Më vonë, shumë më vonë, njerëzit vunë re në pyllin e tyre zogun e panjohur, që loste me erën. Dukej se era frynte për atë zog dhe zogu fluturonte për erën. Një lojë e mrekullueshme kjo për sytë kureshtarë…
Me kalimin e kohës njerëzit u mësuan me miqësinë e fortë të zogut me erën. Mirëpo syrit dhe mendjes se tyre nuk mund t'u shpëtonte edhe ajo dëshirë e egër me të cilën i shtrinte krahët zogu dhe sulej si shigjetë nëpër erë, si për të përqafuar ajrin dhe me ç'duf shushurinte ajri në të tilla raste… E përpinte zogu hapësirën!… E përpinte atë hapësira!… Seç kishte një dhimbje, një dramë në këtë fluturim të mundimshëm...
Dhe qëlloi që dikush, ndoshta në një natë dimri, pranë zjarrit bubulak, të përqaste, në mendjen e tij, zhdukjen e pagjurmë të Turtulleshës e Shushurimës me fluturimin e çuditshëm të atij banori të ri pendartë në pyllin e tyre…
Dhe lindi kështu, atëherë, kjo rrëfenjë, që e tregojnë edhe sot e kësaj dite në Çamëri...
Shefki Hysa
Wednesday, April 23, 2008
Friday, April 18, 2008
E thënë troç! Dhe pikë!
(Individualiteti i krijuesit Kostaq Myrtaj)
Për këtë shkrim mora shkas nga krijimtaria e autorëve letrarë me moshë të vogël si Kostaq Myrtaj, me vëllimin poetik "Loti i trëndafilit", Xhulia Xhekaj, me romanin "Me putrat tona shëtitëm botën", etj., krijues të rinj, të cilët kanë marrë guximin e trokasin në portën e asaj bote të mrekullueshme që quhet letërsi artistike.
Kam dëgjuar debate të shpeshta midis njerëzve të zakonshëm, jo rrallë edhe midis atyre që e mbajnë veten për intelektualë e për studiues të famshëm të fushave të ndryshme të natyrës njerëzore, ku në thelb shtrohet pyetja ekzistenciale: "Është apo s’është?!… Pas kësaj pyetje natyrshëm ngrihet edhe hipoteza apo hamendja: "Edhe është, edhe s’është?!"…
Ky është dyshimi i përjetshëm i Njeriut naiv për shumë fakte, dukuri dhe fenomene të jetës. Të paditurit, vetëkuptohet, i lejohen dyshimet dhe lajthitjet, por nuk mund t’i falen kurrsesi atij që e pretendon veten si dikushi, pjesë të elitave shoqërore. Nuk mund ta falësh atë që pretendon fronin e të diturit, sepse fjala e tij, duke shkuar paralel me famën që gëzon, është e besueshme për veshët e opinionit shoqëror dhe duke shprehur një përcaktim të pasaktë, dizinformon dhe e keqorienton shoqërinë tonë njerëzore. Dhe dihet se ç’pasoja fatale sjell keqpërdorja dhe keqorientimi. Kujtoni për një çast se ç’pasoja të pariparueshme na la trashëgim ish diktatura komuniste. Një Shqipëri në tranzicion të tejzgjatur që po shkon drejt moçalit të stanjacionit. Dhe pikë!
Sidoqoftë edhe naivët, edhe intelektualët bien shpesh në kurthin e ekzistenciales në jetë. Kjo ndodh jo rrallë edhe me krijimtarinë letrare dhe me krijuesit e saj. Diskutohet gjerë e gjatë nëse është apo jo krijimtari letrare një vjershë, një tregim a një libër i një personi që pretendon se ka shkruar diçka dhe mbahet si krijues, poet a prozator, me një fjalë shkrimtar e më the e të thashë…
Të them të vërtetën, dhe e vërteta duhet thënë troç, mua më bëjnë për të qeshur diskutime, debate e replika të tilla naïve që zgjojnë një thashethemnajë e përhapin një tymnajë të madhe, aq sa e errësojnë apo e mitizojnë pa vend një vlerë reale të njeriut që pretendon se ka bërë diçka.
Një shembull. Është qesharake të diskutosh, fjala vjen, se është apo s’është qenie njerëzore, Njeri, një bukuroshe e Sarandës që është martuar me djalin e ëndrrave të saj, ka nusëruar, ka jetuaj jetën plot dashuri dhe më në fund e shohim me trupin e fryrë, pra të mbetur shtazanë. Edhe më qesharake është të mendosh apo të thuash se e bija e botës është pakëz shtatzanë dhe mban në trup pakëz frut dashurie. O është, o s’është, ore, se na çmendët!… Gjërat thuhen troç. Dhe pikë!
Është apo s’është Njeri?!… Edhe është, edhe s’është?!… Edhe është shtatzanë, edhe s’është?!… Edhe do e lindë fëmijën, edhe s’do e lindë?!… Edhe do lindë i gjallë bebja, edhe do lindë i vdekur?!… Edhe do jetë Njeri fëmija, edhe s’do jetë?!…
O njëra, o tjetra se na çmendët! Flisni troç! Dhe pikë!
A nuk të bëjnë për të qeshur të tilla pandehma?!… A nuk të shtyjnë të deklarosh me të madhe: O është, o s’është! Dhe pikë!
Nuk ka, njëherësh, edhe është, edhe s’është! Dhe pikë!
Dhe përkundër naivëve, thua me plot gojën, troç: Bukuroshja e Sarandës është patjetër Njeri, ka mbetur patjetër shtatzanë dhe po rrit në trupin e vet frutin e dashurisë së saj që do të lindë si një qenie njerëzore, do të gëzojë tërë të afërmit dhe do të rritet si një fëmijë i mbarë, një Njeri i mirë më shumë për qytetin buzë detit Jon. Dhe pikë!
Kjo është një alternativë. Dhe pikë!
Ose alternativa tjetër, largqoftë: Nusja bukuroshe nuk mund të mbetet shtatzanë, ose edhe në mbeti do ta lindë fëmijën të vdekur. Dhe pikë!
Dhe po të lindë bebja e vdekur, nuk ka trashëgimtar për fisin e bukuroshes dhe të princit të saj të kaltër. Dhe qoftë larg! Dhe pikë!
Pra, e theksoj, troç, o është, o s’është dhe nuk ka edhe është, edhe s’është! Dhe pikë!
Kjo aksiomë, ky postulat vlen për gjithçka në jetë, vlen edhe për krijimtarinë letrare dhe për krijuesit. Nuk ka rëndësi mosha e tyre. Dhe pikë!
Fjala vjen, Kostaq Myrtaj, me vëllimi poetik "Loti i trëndafilit", o është, o nuk është poet. Dhe pikë! Nuk ka edhe është, edhe s’është! Nuk ka kurrfarë rëndësie mosha e tij. Le të jetë i vogël, 13 – vjeçar. O është poet, o nuk është! Dhe pikë!
Duhet ta themi troç dhe me zë të lartë nëse është apo nuk është Kostaqi talent dhe poet! Dhe pikë!
Duhet saktësuar qartas nëse krijon Kostaq Myrtaj vlera poetike apo thjesht shkruan, siç bëjnë shumë maniakë grafomanë. Dhe pikë!
Tjetër gjë të vargëzosh e të bësh rima, si bejtet, e tjetër të krijosh poezi. Dhe pikë!
Mund të shkruajë e të nxijë letrat kushdo, por janë të paktë ata që kanë dhuntinë të krijojnë. Dhe kjo dhunti është dhuratë e Zotit, prandaj krijuesit, ndryshe nga shkruesit, grafomanët, letërnxirësit, letërshkarravitësit, janë të privilegjuar, kanë shpirt hyjnor. Dhe patjetër që qëndrojnë më afër Krijuesit të tyre, Krijuesit të Gjithësisë, Zotit! Dhe pikë!
Është apo s’është Kostaq Myrtaj krijues?!
E përsëris, troç: Nuk ka pikë rëndësie se është i vogël në moshë dhe shkruan për të vegjëlit e bashkëmoshatarët e tij. Dhe pikë!
Dihet se edhe të vegjëlit ushqehen dhe shijojnë të njëjtat vlera si të rriturit. Ata pijnë gjithë qejf qumështin e nënës që është qumësht; pijnë lëngjet e frutave që janë fruta të krijuara prej Zotit dhe që kanë të njëjtën shije edhe për të rriturit, pra për gjithë gjininë njerëzore; hanë çokollatat që janë çokollatë prej kakaoje dhe u shijojnë aq shumë si edhe të rriturve; hanë bukën që është bukë, etj. Dhe pikë!
Dhe ndihen të kënaqur e të lumturuar njëlloj si prindërit e tyre prej ushqimit të zgjedhur e të freskët, dhuratë e Zotit, në këtë botë. Dhe pikë!
Pra, edhe vjershat për të vegjëlit, o janë krijime letrare, poezi, o nuk janë! Dhe pikë! Dhe po qenë krijime, vlerat e tyre patjetër që emocionojnë fëmijët tanë, do të na emocionojnë edhe ne dhe do të na sjellin maksimumin e kënaqësisë shpirtërore, njëlloj si buka që na shuan urinë dhe na krijon një kënaqësi të madhe fizike, pas një lodhjeje të gjatë në një punë të stërmundimshme, njëlloj si çokollata që na shijon aq sa na lëshon goja lëng kur e kujtojmë. Dhe kjo u ndodh gjithë njerëzve njëlloj, padallim moshe… U ndodh fëmijëve dhe prindërve. Për këtë arsye, nuk kanë aq shumë faj ato nëna që pasi kanë gatuar diçka të shijshme, bëjnë sikur ushqejnë fëmijën dhe ushqehen për vete. Besoj se prej një fakti të tillë duhet të ketë buruar edhe ajo shprehja e urtë çame "Ha nana e djalit s’i jep" që përdoret shpesh për të vlerësuar një gatim të rrallë të një amvise mjeshtre. Pra, sjellje e diktuar prej vlerave joshëse, të arrira, të mrekullueshme, të padiskutueshme, shprehja "Ha nana e djalit s’i jep"… Dhe pikë!
Në këtë kuptim, pasi i lexon me vëmendje krijimet e autorit Kostaq Myrtaj, përmbledhur në vëllimin poetik "Loti i trëndafilit", emocionohesh, ngacmohesh shpirtërisht dhe ndien ato mbresa e kënaqësi të veçanta estetike që të zgjojnë veprat e talenteve të mëdhenj. Dhe teksa humbet një copëherë në atë botë të bukur që ai ka krijuar me fantazinë e tij dhe na e dhuron edhe ne, teksa rend me imagjinatë drejt brigjeve të fëmijërisë tënde plot kureshtje dhe interes për të parë se ç’të përbashkëta e ç’të veçanta ka ajo në krahasim me fëmijët e sotëm, thua me gjithë zemër se je përballë një talenti të rrallë e të vërtetë, se ke në duar krijimtarinë e një shkrimtari të vërtetë. Dhe pikë!
Dhe ky shkrimtar, ky poet, është Kostaq Myrtaj. Dhe pikë!
Atëherë me gjithë fuqinë e shpirtit dhe të zërit ia vlen të thuash: Mirëse erdhe midis artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, o Kostaq Myrtaj! Dhe pikë!
Suksese drejt rrugës që të shpie në thesarin e kryeveprave artistike e letraro-kulturore të kombit shqiptar. Dhe pikë! E thënë troç! Dhe pikë! Dhe pikë! Dhe pikë!

Subscribe to:
Posts (Atom)