Saturday, July 18, 2009

Tuesday, March 3, 2009

Ç’është Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”?!

Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” (Komuniteti Kulturor i Çamërisë) është një OJQ shqiptare, me qendër në Tiranë, e themeluar nga një grup gazetarësh, shkrimtarësh, artistësh e intelektualësh, miq e dashamirë të poetit, prozatorit dhe publicistit të shquar disident Bilal Xhaferri, e cila synon madhështimin e kësaj figure të nëpërkëmbur e të flakur në harresë prej ish diktaturës komuniste dhe lartësimin e vlerave të kulturës sonë kombëtare përballë vlerave të qytetërimeve të përparuara botërore, veçanërisht ato të Çamërisë martire.

Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” është themeluar në vitin 1993 dhe e miratuar ligjërisht më 1994 si institucion kulturor i specializuar shumëfunksional në vazhdën e zgjerimit të veprimtarisë së shtëpisë botuese “Bilal Xhaferri”, e cila ishte krijuar që në vitin 1991 prej shkrimtarit Shefki Hysa, si një nga entet e para botuese të periudhës postkomuniste me synim për të përzgjedhur e publikuar vlerat më të spikatura të letërsisë botërore, të letërsisë disidente shqiptare dhe të krijimtarisë së talenteve të reja që janë të rrezikuara të humbasin në kushtet e vështira të ekonomisë së tregut.

Bumi i botimeve të kësaj shtëpie botuese si dhe jehona e madhe e veprimtarisë së saj në ato vite, krijoi idenë se duhej themeluar një institucion me hapësira e fushëveprim ligjor më të mëdha se ato të një enti të thjeshtë botues. Pra, dilte si domosdoshmëri krijimi i një organizmi kulturor shumëfunksional më dinjitar, një organizatë jofitimprurëse që të përfshinte edhe fushën e botimeve dhe njëkohësisht të kishte mundësitë e bashkëveprimit me institucione qeveritare e joqeveritare në të gjitha këndvështrimet e jetës, brenda dhe jashtë vendit…

Një grup veprimtarësh çamë së bashku me miqtë e tyre në krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe në Diasporë, diskutuan gjatë me intelektualët më të mirë të Komunitetit Kulturor të Çamërisë dhe në bashkëpunim me shumë e shumë shkrimtarë, artistë e intelektualë të tjerë shqiptarë, miq e dashamirë të Bilal Xhaferrit e të Çështjes Çame, vendosëm të krijonin një shoqatë kulturore, që të kishte përveç shtëpisë botuese, edhe shtypin e saj. Pra, duhej të krijonin një organizatë jo qeveritare si Lidhja Çame që kishte krijuar Bilal Xhaferri në Çikago, SHBA apo diçka të përafërt me shoqatën “Çamëria”, por që të prirej më shumë drejt kulturës çame, sesa t’i kushtohej politikës.

Si rezultat i bashkëpunimit gjatë viteve 1993 e 1994 u themelua dhe forcua Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”, si institucion i specializuar që do ta zgjeronte veprimtarinë kulturore tej kufijve të Shqipërisë, në Kosovë e Maqedoni e gjer në SHBA për të bashkërenduar punën me Lidhjen Çame, Lidhjen Kosovare, Lidhjen Demokratike të Malit të Zi, Lidhjen e Shqiptarëve të Maqedonisë e me shumë organizata të tjera që vepronin në kontinentin amerikan. Shoqata do të ishte një zë i fuqishëm për mbështetjen e problemit çam dhe për zgjidhjen e tij në rrugë diplomatike... Pra, këtyre nismëtarëve u duhej të bëheshin nga pak diplomatë, si gjithë shkrimtarët e artistët që vetvetiu marrin rolin e ambasadorëve të kulturës së vendit të tyre… Donin s’donin, do të bëheshin misionarë të kulturës shqiptare, diplomatë të saj…

Po cilët ishin disa prej miqve që u bashkuan në tryezën e kësaj shoqate dhe që e ndihmuan me zemër shqiptari idealin çam?!… Midis tyre u shquan edhe intelektualë të mirënjohur si: Namik Mane, Pandeli Koçi, Pjetër Arbnori, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Ballkiz Halili, Dhori Karaj, Faik Teodori, Fatos M. Rrapaj, Hektor Sejko, Hekuran Halili, Namik Selmani, Martin Mato, Minella Kureta, Sokol Jakova, Vath Koreshi, Axhem Çapo, Balil Proda, Bujar Shurdhi, Qani Biraçi, Xhemil Lato e sa e sa të tjerë, jo vetëm çamë…

Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” shumë shpejt u shtri jo vetëm në zonat e komunitetit çam, por edhe në rrethet kryesore të Shqipërisë, kudo që ndodheshin miqtë e veprës e të idealit të Bilal Xhaferrit… Krijoi marrëdhënie shumë të mira me strukturat e shtetit shqiptar, me politikanë të të gjithë spektrit politik, me të pozitës e opozitës, me më të vjetrit e më të rinjtë si: Pjetër Arbnori, Sali Berisha, Ibrahim Rugova e Fatos Nano, Aleksandër Meksi, Servet Pëllumbi e Skënder Gjinushi, Sabri Godo, Fatmir Mediu, Namik Dokle e Arian Madhi, Edi Rama, Hashim Thaçi, Gramoz Ruçi, Bamir Topi, Besnik Mustafaj e Neritan Ceka, Petro Koçi e Preç Zogaj, Ilir Meta, Pëllumb Xhufi e Sabri Hamiti, Makbule Çeço, Jozefina Topalli, Diana Çuli, Lajla Pernaska, Valentina Leskaj, Mimi Kodheli, Majlinda Bregu e sa e sa të tjerë.

Lidhjet e kësaj shoqate u shtrinë dhe u forcuan edhe me ambasada si ajo amerikane, italiane, gjermane, turke etj., apo me personalitete të diplomacisë e kulturës botërore si Hillari Clinton e Doris Pack, Miranda Vickers e James Pettifer, Marko Panela e Callenback, Dr. Haim Reitan, Amir Gilad etj.

Një brez poetësh, gazetarësh, intelektualësh e politikanësht të rinj të talentuar si Agim Mero, Alma Ahmeti, Bianka Bilali, Dylbere Dika, Florian Bulica, Fllanxa Veshi, Kadri Aliu, Kostaq Myrtaj, Ismail Murtaj, Leonora Bilali, Mina Çaushi, Rudina Hasa, Yllka Sulku, Xhulia Xhekaj e sa e sa të tjerë më vonë e më vonë, do të bëheshin ndër vite armata e madhe e luftëtarëve të idealit çam që synonte kjo shoqatë…

Revista “Krahu i shqiponjës”, e themeluar prej Bilal Xhaferrit në SHBA u bë organi që pasqyroi dhe vazhdon të pasqyrojë tërë veprimtarinë e kësaj organizate atdhetare.

Pikësynimi i saj kryesor ishte dhe mbetet madhështimi i figurës së Bilal Xhaferrit dhe i vlerave të kulturës çame e asaj shqiptare përkrah vlerave më të mira botërore... Që të realizohej ky synim, u caktua objektivi më i afërt: Rikthimi i eshtrave të Bilal Xhaferrit në Shqipëri që u realizua më 6 maj 1995 me kontributin e shtetit shqiptar dhe të shkrimtarit Shefki Hysa, kryetar i kësaj shoqate…

Dhe filloi kështu një bashkëpunim i gjatë e lodhës me të gjitha organizmat qeveritare e joqeveritare, derisa u bë e mundur që eshtrat e Bilal Xhaferrit të vinin në atdhe e të preheshin në Sarandë dhe të arriheshin edhe shumë synime të tjera në dobi të kultures shqiptare dhe të zgjidhjes përfundimtare të problemit çam…

Marrë nga libri “Diplomacia e vetëmohimit” e shkrimtarit Shefki Hysa, Tiranë, 2008
Shtëpia botuese me emrin e Bilal Xhaferrit

Shtëpia Botuese “Bilal Xhaferri” është një nga entet e para botuese shqiptare të periudhës postkomuniste me synim për të përzgjedhur e publikuar vlerat më të spikatura të letërsisë botërore, të letërsisë disidente shqiptare dhe të krijimtarisë së talenteve të reja që janë të rrezikuara të humbasin në kushtet e vështira të ekonomisë së tregut.

Shtëpia botuese “Bilal Xhaferri” u krijua si rezultat i mendimit se kultura, arti, letërsia dhe figurat që i përfaqësojnë, me vlerat e tyre, janë ambasadorët dhe diplomatët më bindës e më rezultativë për paraqitjen dinjitoze të një kombi përballë kombeve të tjera të qytetëruara. Më 27 janar 1992 doli leja nga Ministria e Kulturës për themelimin e këtij enti botues. Ministër aso kohe ishte shkrimtari Vath Koreshi, një ndër përkrahësit e nxitësit e fillimeve letrare të talentit Bilal Xhaferri. Vathi e firmosi gjithë entuziazëm lejen për veprimtari botuese dhe premtoi se do të jepte vazhdimisht përkrahjen e tij dhe të shumë prej miqve të Bilalit.

Atëherë ishte një periudhë kur vepra e Bilal Xhaferrit ishte e harruar. Vlerat e tij ishin të mohura prej ish-diktaturës komuniste. Ishte detyrë e intelektualëve çamë si Shefki Hysa që të përpiqeshin për lartësimin e veprës së Bilalit dhe të thesareve të folklorit dhe kulturës çame, vlera të mëdha të nëpërkëmbura që ende nuk i njihte publiku shqiptar. Nëpërmjet figurës së Bilal Xhaferrit, talent i jashtëzakonshëm që kishte shkëlqyer si një yll në horizontin e letërisë shqiptare në vitet ‘60 dhe që ishte shuar befas prej goditjes fatale që mori prej ish-diktaturës komuniste, mund të shpaloseshin para shqiptarëve dhe botës së qytetëruar, perlat e mrekullueshme të eposit popullor çam. Duke njohur këto vlera të mahnitshme të Çamërisë, shqiptarët dhe tërë dashamirët e huaj do të zgjonin interesimin dhe do të dashuroheshin pas çështjes çame, si pas një institucioni besimi të rrallë e të shenjtë që u përkiste edhe atyre.

Shtëpia botuese “Bilal Xhaferri” në sajë të aftësive, përkushtimit të madh dhe lidhjeve të shumta me politikën shqiptare e atë ndërkombëtare të shkrimtarit Shefki Hysa, u rrit shpejt dhe po përjetonte dita-ditës një bum botimesh të veprave të zgjedhura nga letërsia botërore, të librave të shkrimtarëve ish të përndjekur politikë si Pjetër Arbnori dhe veçanërisht të talenteve të reja. Stafi i saj bënte të gjitha përpjekjet që djemtë dhe vajzat e reja plot talent, jo vetëm të Komunitetit Çam, të gjenin vetveten në shtëpinë botuese “Bilal Xhaferri”, të afirmoheshin e të mos pësonin fatin e dikurshëm të Bilalit, në periudhën e vështirë të tranzicionit të egër kapitalist që po përjetonte Shqipëria. Në vitet e para të periudhës postkomuniste ishte e vështirë të gjeje mjete monetare për botime librash dhe talentet e reja shihnin një strehë ëndrrash tek ky ent botues, pjesë përbërëse e institucionit Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”…

Në vitin 1993 u arrit të botohej edhe romani “Krastakraus” i Bilal Xhaferrit. Ishte një nga veprat më të realizuara artistikisht me temën dhe problematikën e etnisë shqiptare aq të parapëlqyer prej këtij autori. Botimi u mundësua edhe me ndihmën e intelektuales çame Ballkiz Halili, e cila e kishte ruajtur të fshehur për vite me radhë një kopje të daktilografuar të këtij romani. Ky botim ishte një sukses i madh e i papritur . Më në fund po i paraqitej një vepër nga më dinjitozet opinionit shqiptar, jo thjesht figura e Bilalit, shkrimtarit disident të kacafytur dhëmbë për dhëmbë me ish-regjimin diktatorial shqiptar.

Numri i botimeve u rrit nga viti në vit dhe Shtëpia Botuese “Bilal Xhaferri” luajti një rol të madh për kombëtarizimin e ndërkombëtarizimin e problemit çam tashmë në prag të zgjidhjes.

Ja disa nga botimet më të spikatura të këtij institucioni me vlera kombëtare:

“Dashuri fatale”, romancë (1992), Alfred de Musset.
“Dashuri e përgjakur (Përtej largësive)”, romancë (1992), Bilal Xhaferri
“Lavirja e denjë për respekt”, novela (1992), Jean Paul Sartre
“Kur dynden vikingët”, novelë (1992), Pjetër Arbnori
“Krisja e zemrës”, poezi (1992), Gjin Progni
“Turtullesha dhe djalli”, tregime (1992), Shefki Hysa
“Krastakraus (Ra Berati)”, roman (1993), Bilal Xhaferri
“Mos ma kujto vdekjen”, poezi (1993), Rudina Hasa
“Rebel”, poezi (1993), Shpëtim Roqi
“Nata e qiparisave të huaj”, ese (1994), Artur Spanjolli
“Bukuroshja me hijen”, romancë (1994), Pjetër Arbnori
“Robër të paqes”, roman (1994), Shefki Hysa
“Engjëll mëkatar”, poezi (1994), Mirela Rapi
“Dosjet e gjalla”, publicistikë (1995), Agim Musta
“Pjergulla e lotëve”, poezi (1995), Namik Mane
“Kali i përmallimit”, poezi (1996), Arshin Rexha
“Yjet e ëndrrave”, poezi (1996), Etleva Shahini,
“Vorbulla”, roman (1997), Pjetër Arbnori
“Parajsa e mallkuar”, roman (1997), Shefki Hysa
“Parajsa e shitur”, poezi (2002), Dylbere Dika
“Dhe dita vdes”, tregime (2003), Dylbere Dika
“Klithmë shpirti”, poezi (2004), Liri Hidërshaj
“Aromë Çamërie”, tregime (2004), Shefki Hysa
“Mrekullitë e rreme”, tregime (2005), Shefki Hysa
“Mëkim shpirtëror”, novelë (2005), Liri Hidërshaj
“Për pak lumturi”, poezi (2006), Venka Capa
“Rrëfimi”, novelë (2006), Liri Hidërshaj
“Dialog për paqen e pamundur”, publicistikë (2006), Hysen Haxhiaj
“Pikëllim familjar”, poezi (2006), Mina Çaushi
“Me putrat tona shetitëm botën”, roman (2007), Xhulia Xhekaj
“Dodona tempulli i lashtë i Shqipërisë”, artikuj studimorë (2007), Rasim Bebo
“Pendimi”, novelë (2007), Liri Hidërshaj
“Lotët e trëndafilit”, poezi (2008), Kostaq Myrtaj etj.,etj.

Tuesday, May 27, 2008

AROMË ÇAMËRIE

- Ah, mor mik! Nuk kam kohë, të kam thënë, më mbyti puna, - ndjeva në telefon refrenin qaraman.
Sepse më solli ndër mend dikë që s’kisha pikën e dëshirës as ta përfytyroja, i cili, për t’i shmangur shokët, u thoshte shpesh se nuk kishte kohë as për të vdekur. Aty për aty i acaruar ia ktheva:
- E marr me mend që nuk ke kohë as për të vdekur, por mësohu t’i komandosh njerëzit me celular. Shto edhe ndonjë specialist të aftë ose ndonjë administrator të fortë dhe lirohu nga punët e rëndomta. Ti je pronar dhe të duhet vetëm të drejtosh, jo të punosh…
- E di, mor mik, e di, po nuk ecën puna po s’qeshë vetë në krye. Më marrin në telefon nga gjithë Shqipëria. Jam shtrirë nga pak edhe në Kosovë. Kam përgjegjësi të mëdha për klientët e mi, - ma preu psherëtimthi.
- Ke për të vdekur një ditë dhe do të t’i hanë paret kollovarët. Nuk do të kujtohet askush për ty, sikur nuk ke ekzistuar kurrë. Më mirë kujtohu vetë për veten, për emrin tënd. Bëj emër për vajzat, jo vetëm para, - këmbëngula, i pafuqishëm për ta bindur.
- Më prit javën tjetër, do të vij për të montuar nja dy ekspresë, në Tiranë dhe patjetër do takohemi, - tha befas.
Pata përshtypjen se donte të më hiqte qafe. Kështu ma bënte sa herë i telefonoja apo takoheshim rastësisht. Sikur tallej me mua, prandaj shfryva:
- Si të duash, unë ta kam dalë borxhit, por ta dish se ke për të vdekur si mekanik. Dhe vdekjes nuk i dihet, të merr kur nuk e pret…
- Ah, mor mik, e di, po puna s’bën dot pa mua…
- Si ta kesh qejfin, or punëtor i përjetshëm! – gjakosa buzën dhe ia mbylla telefonin pa u përshëndetur.
E dija që nuk do ta mbante fjalën.
- Eh, mor Namik Mane! Ia paske shitur edhe ti shpirtin shejtanit, - iu hakërrova vetes, në pamundësi t’i turresha atij.
Më vinte maraz që nuk arrija ta shkëpusja dot nga puna e përditshme e punishtes së kafesë. Diku në Durrës, në një rrugicë të shtrembër, të paasfaltuar, në katin e parë të një dykatsheje të vjetër, gjendej punishtja e mikut tim, poetit të harruar Namik Mane. Për të hyrë brenda kaloje në një derë të ndryshkur hekuri, në një korridorr të ngushtë dhe përmes dy të ndarave, njëra e vogël, me raftet e ekspresëve të përdorur, që prisnin të riparoheshin, dhe tjetra salla e madhe e mullirit, ku piqej, bluhej e paketohej kafeja allaturke dhe ajo ekspres. Aty, midis ajrit të lagësht dhe tymit, paketohej edhe sheqeri në ato qeskat me mbishkrimin "Mike". Unë nuk duroja dot gjatë aty brenda, dimër ose verë të ishte. Më çante hundët afshi i kafesë, më thernin kockat prej ftohtësisë së asaj perandorize të vogërreme, me të cilën mburrej me të drejtë miku im, sepse, pavarësisht nga shëmtia, e sillte aq të madh fitimin.
Vendosa ta harroj mikun dhe krijimtarinë e tij, megjithëse më vinte keq për vlerat e vyera që fshihte në shpirt, ky bashkëkohës dhe shok i ngushtë i shkrimtarit të shquar Bilal Xhaferri. Doja t’ia vilja ato vlera, mirëpo, mesa duket, s’qe e thënë. Dhe e flaka diku në një humbëtirë të kujtesës.
- E, mor ti, varfanjaku i përjetshëm, pandehe se ta hodha prapë?! – ndjeva një zë të njohur përzier me krismën e derës që u hap rrufeshëm.
Vetëtimthi m’u përplas në cep të syrit silueta e Namik Manes. E kishte mbajtur fjalën. Vonë vërtet, po më mirë vonë se kurrë.
- Barbarisht hyhet në zyrat e shtetit, o njeri i mbrapshtë?! – iu gërmusha hareshëm i befasuar, ndërkohë që pamja e tij e shëndoshë, babaxhane, sikur ma zbuti në një grimëherë mërinë e mbetur diku në thellësi të shpirtit.
- Ha, ha, ha! Ku pyesim për shtet ne! Aq sa pyet shteti për ne, na mbledh taksat dhe aq… Shtet që të lë pa bukë…
- Dikur dridheshe prej shtetit, zotrote, tani je trimëruar ca si shumë se të shoh që je trashur në trup, je majmur e të skuqin surrati e tulla e kokës. Mbase nuk je trashur edhe nga trutë, or miku im? – e ngava për t’ia prerë hovin.
- Epo s’ bëhej shaka me atë shtet. Të hiqte kokën shteti i djeshëm komunist. Ai shtet më internoi për vite të tëra në kënetën e Hamalles. Ma gllabëroi rininë balta. E qepa gojën dhe shpëtova kokën… Sa për shtetin tuaj demokrat, rroj njëmijë vjet unë…
U përqafuam. Ishte e kotë t’i mbaje inat vrullit të tij. Fytyra i pasqyronte mirësi. E vura re me bisht të syrit tek i rëndoi rënkueshëm karriges. Duhet të ishte shumë mbi peshën normale. Jeleku i tij i hirtë, si jelek tip antiplump, mezi e përmblidhte tërë atë krahëror shpërthyes. Vuante nga tensioni i lartë dhe nga zemra. Dhjamosja e tepërt e indeve të trupit mund t’i shkaktonte edhe ndonjë infarkt dhe t’i linte shëndenë kësaj bote, megjithëse ilaçet i mbante kurdoherë me vete për çdo të papritur. Kështu i shëndoshë dhe i tejdhjamosur pati qenë edhe dajua im dhe vdiq në mes të rrugës. Plasi në vend. Prej infarktit a hemoragjisë cerebrale, ku ta dish…
- Mbete me një libër, o derëbardhë! Ia harruam edhe titullin atij, pas kaq vjetësh heshtjeje, - i thashë si me shaka për të fshirë nga vetja atë ndjesi të frikshme që më shkaktoi pamja e trupit të tij tepër të shëndosë për moshën mbi gjashtëdhjetëvjeçare.
- Një libër vërtet, por ishte libër ama, jo llafe, si puna e këtyre vëllimeve me bejte që botohen sot.
- Në mos gaboj, "Pjergulla e lotëve" titullohej vëllimi yt poetik?
- Po.
- Sidoqoftë, nuk hahet të heshtësh kaq vjet. Kur e harrova unë, shoku yt, poetin Namik Mane, ç’pyet për të tjerët…
- Nuk më harron ti, jo, për të tjerët punë e madhe!
- Më lodhe, or mik, mezi u bëre gjallë. Dua s’dua do të të harroj, o i harruar, - theksova i kapitulluar.
- Ore, po më çmendën telefonat, ore! Klientela lumë, nga Jugu në Veri. Nuk marr dot as frymë rehat, më beso. Ndihmësit e mi, nipat, dhëndurët, nuk ia kanë marrë akoma dorën mirëmbajtjes së ekspresëve dhe më duhet të rend vetë gjithandej, gjer në Kosovë. U çmenda, më beson?
- Të të besoj?! Po a i zihet besë një milioneri si ti, që nuk di ku t’i fshehë paratë, që ka mbushur edhe boshllëqet poshtë pllakave të dyshemesë me kartëmonedha?
- Hë të keqen, më beso, se nuk jam aq i pasur. I kam të mëdha edhe shpenzimet.
- E marr me mend, xhepat e jelekut i ke kurdoherë fryrë për t’i zbrazur nëpër restorantet më të mira për mish, peshk e raki.
- Jo, rakinë nuk e pi më, thonë se të dhjamos. Tani pi verë.
- Shkon edhe nëpër motele, besoj.
- Nëpër motele jo, megjithëse burrë jam, - qeshi ai. – Nuk të besohet?
Dhe zuri të më tregonte një rast se si njëherë një bukuroshe nga ato biondet vagabonde, që udhëtonte me të në makinë, urdhëroi shoferin të ndalej pranë një moteli. Shoferi i hodhi një vështrim pyetës nëpërmjet pasqyrës. Shiko rrugën, drejt, iu përgjigj me nojma ai. Biondja e përsëriti urdhrin, por shoferi ia preu shkurt se zbatonte vetëm urdhrat e drejtorit. Ishte shofer drejtori e jo shofer zonjash.
Tek e fundit i falet, sikur të shkojë ndonjëherë edhe në motel, mendoja teksa dëgjoja rrëfimin e tij. E dija që ishte vejan. I kishte vdekur gruaja disa vite më parë, duke e lënë me dy vajza, tashmë të rritura. Le që biznesmenët e kanë një mënyrë argëtimi të shkuarit nëpër motele.
- T’i lemë llafet e tepërta se janë fukarallëk në këtë zyrë të rehatshme, qoshezë burokrati. Me vrap e në restorantin më të mirë që ka Tirana. Se edhe ju, kryeqytetasit, ua dini lezetin lokaleve.
- Shkojmë në shtëpinë time, mbase do të bisedojmë më qetë, - brofa unë.
- Në shtëpi? Nuk do të jemi më të lirshëm në një restorant? – u druajt ai.
- Në shtëpi! Sado të varfër, edhe ne, letrarët, i kemi pesë gjëra të mira për mysafirët e rrallë.
Namiku ngriti supet i çarmatosur, por unë s’u tunda nga imja. Kishim qenë sa herë me të nëpër lokalet më të mira të Durrësit, buzë detit, në dimër kur rrokulliseshin pambarimisht dallgë të gjata si rrungala kuajsh të bardhë në plazhin e Currilave dhe në verë, kur vala shtynte valën e i lëpiheshin si mace të egra rërës së butë të brigjeve. Kishim bredhur edhe nëpër pikat turistike të Tiranës, bregut të liqenit dhe në malin e Dajtit, kur ai mbante mbi krye kurorën e blertë të pranverës dhe atë thinjoshen prej bore të dimrit. Edhe në shtëpinë e Namikut kishim qenë shumë herë, madje e kishim gdhirë me të ngrëna e të pira dhe duke treguar e ritreguar bëmat e dikurshme të Bilal Xhaferrit. Në shtëpinë time nuk kishim qenë asnjëherë, thjesht sepse unë vonë jam bërë familjar.
Ndërkohë kishim dalë në oborrin e madh të ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë, të mbuluar nga pishat e buta shtatlarta, që sitnin diellin dhe na e hidhnin në trajtën e një pluhuri të artë nëpër trup. Ishte fillimvjeshte dhe gjethet e pemëve ishin praruar, këputeshin e binin një nga një mbi asfalt. Frynte një puhizë dhe rrezet e diellit na piklonin vështrimin. Në atë çast u ngjanim, pak a shumë, kërkuesve të arit, me të vetmin ndryshim se ne gjurmonim thesaret e shpirtërave njerëzorë.
Te kthesa, ku takohej rruga me bulevardin, përballë "Rognerit", na priste furgonthi i Namikut, mirëpo ne zgjodhëm lëvizjen më këmbë buzë bregut të blertë të lumit të Lanës.
- Ti je djalë i mirë, - tha befas Namiku, duke hedhur pas shpatullave atë përhumbje meditative që të zgjonte vjeshta përqark.
- E di.
- Edhe i mençur. Ke bërë shumë përpara që kur të kam njohur.
- Po.
- Por nuk ta dinë të gjithë.
- Edhe këtë e di. Miku i gjithkujt, miku i askujt.
- Erdhën dhe më thanë të mblidhemi dhe ta hedhim në gjyq. T’ia heqim të drejtën për të studiuar figurën e Bilal Xhaferrit.
- Po…
- Dhe unë u thashë jo! Se sot jemi demokraci, se kanë të drejtë të jetojnë të gjithë dhe jo vetëm ata, si dje; se ai i bëri gjërat ashtu siç dinte t’i bënte. Mjafton që i bëri, kur askush nuk e mori guximin t’i bënte, as ata. Kapërceu dete e oqeane dhe solli i vetëm nga Amerika eshtrat e Bilal Xhaferrit. E zhvarrosi nga varri i harresës ku e kishin groposur censorët e diktaturës dhe e ngriti në lartësitë që meritonte. Ka bërë punë titanike me shtëpinë botuese dhe shoqatën "Bilal Xhaferri" dhe me revistën "Krahu i shqiponjës". E përse t’ia mohojmë tërë këto?!
- Dhe ata nuk të dëgjuan. U përpoqën të më kundërvinin shtetin dhe ambasadën amerikane, por nuk ia arritën se kisha zbuluar një mal me punën time. Dhe mali nuk shembet aq lehtë.
- Po, mali nuk shembet. Dhe ai mal ishte vepra e shkrimtarit të jashtëzakonshëm, Bilal Xhaferrit. Mjafton kryevjersha e tij "Baladë çame" dhe ai mbetet mal mbi male. Dhe guxoi ta publikonte në ato vite.
- Po. Në vitet e diktaturës. E kam parë me sytë e mi të botuar, duke shfletuar koleksionet e gazetës në Bibliotekën Kombëtare. Dhe më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme ajo kryevjershë si një himn i martirizimit të Çamërisë, himn i papërsëritshëm, si "Marsejeza".
- Aman, or mik, mos m’i nga plagët, mos ma lëndo shpirtin më tej, se kur e kujtoj Bilalin më dhemb vetë jeta ime. Thonë se e vrau cmira e shkrimtarëve. Jo, or mik, tërë shkrimtarët e donin Bilalin, tërë lexuesit e nderonin. E vrau ideologjia e kohës, sigurimi i shtetit.
- Sigurimi i shtetit?! – u çudita.
- Po, po, sigurimi i shtetit. E përndiqnin pas e larg. I kishin sajuar edhe dosje. Bilalit i ra në vesh dhe u arratis për në Greqi e më vonë mërgoi në Amerikë… Iku për të shpëtuar kokën dhe jo për të shprehur disidencën e vet, siç shkruajnë.
- Do ta kishin burgosur, po të kishte qëndruar? – u bëra kureshtar.
- Patjetër!
- U tregua largpamës, qerratai, që u arratis, - fërkova duart.
- Se mos vetëm në atë rast. Bilali ishte natyrë e shkathët, megjithëse i heshtur dhe vazhdimisht i menduar. Vetëm me mua hapej. Të shihje si shpërthente pasioni i tij. Eh, mik i dashur! – tundi kokën me nostalgji Namiku.
- … …?!
- Aman, or mik, të thashë, mos m’i lëndo plagët!
- Epo me vete nuk të lë t’i marrësh tërë këto mbresa. Hiqe nga mendja! – ia preva.
- Aman, të keqen! Ç’të të rrëfej më parë. Nuk e di ti sa të vështirë e kam. Ti e di që quhej Bilal Hoxha, stërnip i dijetarit universal, Hasan Tahsinit, që u lind në Ninat të Konispolit, që babanë e tij, Xhaferr Hoxhën, e pushkatuan si nacionalist, si antikomunist. Po ç’bëri Bilali? Në vend të mbiemrit Hoxha përdori si mbiemër letrar emrin e babait të vet. Pra, u vetëquajt Bilal Xhaferri, duke përjetësuar emrin e babait të pushkatuar. Këtë e dinin edhe ata.
- Çfarë guximi!
- Vërtet, guxim prej të marri. Dhe ishte aq i mençur! – psherëtiu dhe biseda iu këput papritur, sikur filli i saj të ishte litar që mbante varur peshën e mendimit dhe qenien e Namikut, i cili të krijonte idenë se po rrëzohej dhe humbiste në një nga honet e frikshme të harresës.
- Lum si ti që ishe shoku i tij! – theva heshtjen unë, me dëshirën për të mbajtur gjallë zjarrin e bisedimit dhe atë çast, sepse m’u duk vetja si shpëtimtarët, që hedhin një grep a një litar tjetër ku të kapet i këputuri për të mos u copëtuar në greminë.
Ecnim në të kundërt të rrjedhës së turbullt të Lanës. Dëgjohej e vrazhdë vetëm gurgullima këmbëngulëse e ujit. Namiku heshti sa heshti, pastaj filloi të fliste i tensionuar si njeriu që tashmë i ka shpëtuar për qime rrëzimit. I vura veshin me vëmendje të folurës së tij hope-hope, me ngërçe. Dukej sikur recitonte apo lexonte me pasion një ditar kujtimesh. Tregonte se si me Bilalin i gdhinin netët duke rrahur mendime dhe duke shkruar poezi me frymë revolte, megjithëse ditët i shkrinin në parcelën me lakra, ku të mbante lidhur balta si pranga, ku lindnin vajet e nënshtrimit dhe të shkurtonte jetën shati e lopata, ku prej zemërimit gjuanin me shkelm mbi lakër, si mbi kokë të mbretit robërues. Me vjershat rebele, ashtu idealistë siç ishin, ëndërronin të botonin një vëllim poetik të përbashkët me titullin "Një siluetë në errësirë". Kështu titullohej një prej poezive me vargjet:
"Unë do ju shfaqem në errësirën me mjegull,
profil i ngritur plot dhembje dhe përbuzje.
Për mua s’do ju tregojnë gjë yjet,
as erërat,
as shndritjet e bronxta të siluetës sime.
Për mua do dëshmojnë vetëm plagët e mia,
për mua do dëshmojë vetëm vdekja ime"…
Ndërkaq arritëm në shtëpi dhe hymë drejt e në studio. Namiku u shemb i fundosur në një kolltuk dhe mezi mbushej me frymë. Fytyra dhe koka e zbathur prej flokëve i kuqëlonin tej mase. Piklat e djersës në ballë i farfurinin prej neonit që sapo ndeza, për të larguar mugëtirën e perdeve të rënda prej atllasi të kaltërremë. E shihja me bisht të syrit, teksa largoja dosjet nga tryeza e kompiuterit dhe më drithmonte mendimi se mos pëlciste si tollumbace tërë ai gjoks gulçues. Por jo. Nuk thonë më kot se jeta e robit është në dorën e Zotit dhe vetëm Ai e di se kur ta merr. E mblodhi veten shpejt, u rehatua dhe filloi të këqyrte me kureshtje raftet me libra.
- Ama, goxha bibliotekë paske! Nuk e ndave kurrë jetën nga librat, megjithë varfërinë që nuk i shqitet intelektualit, - vërejti Namiku.
- Epo unë, për fat të mirë a të keq, i jam kushtuar tërësisht krijimtarisë letrare. Dhe ti e di se librat në Shqipëri, ta hanë edhe kafshatën e fundit, - nëpërdhëmba psherëtimthi.
- E di, mor mik, e di, prandaj hoqa dorë nga botimet dhe iu kushtova biznesit. Të lashë edhe ty, të lashë të vetëm...
- Të shkuara të harruara! – ia preva shkurt pa aspak dëshirë për të rikujtuar aventurën tonë të dikurshme, për t’u bërë botuesit e parë shqiptarë të epokës së re paskomuniste.
Namiku qeshi me thartimin e fytyrës sime, ndërsa unë u mugëtova edhe më, madje edhe në shpirt. Nuk e dhashë veten se e kisha mik, në shtëpi, megjithatë nuk mund t’ia falja braktisjen.
- E ndiej me zemër pezmatimin tënd, më beso, por ja që u frikësova. Të kujtohet dita kur po ngarkonim në makinë letrën tipografike, që ai tipografi e kishte fshehur te bunkeri prapa shtëpisë së vet? Po mendoja se mbase ishte letër e vjedhur në ndonjë magazinë shtetërore. Dhe befas kaloi aty pranë një furgon policie. Kaloi fare rastësisht. Ama, unë u tmerrova. Më trembi mënyra se si punonim. Vetëkuptohet se ishte e vetmja për të fituar diçka në atë periudhë gërmadhë, pas shembjes së diktaturës. Ashtu vepronin të gjithë, mundoheshin të arnoheshin. Por ja, unë nuk mundesha. I jam druajtur një jetë të tërë hijes së shtetit komunist dhe druhesha ende edhe prej shtetit të ri. Por jo se jam frikacak. Dhe ia mbatha jashtë shtetit. Kjo ishte e tëra dhe më dhemb shpirti, - shpjegoi Namiku me keqardhje, si të donte të më lehtësonte sadopak lëndimin e madh që më kishte sjellë ortakëria me të.
- Të thashë njëherë, të shkuara të harruara! – përsërita qetë-qetë, në pamje. – E rëndësishme është që ty të eci dhe nuk je i huaj, je miku im. Thuaj shyqyr Zotit!
- Të mos qahem. Me lodhje, vërtet, por fitoj. Veç ta dish sa kam vuajtur jashtë shtetit. Do t’ia dëshmoj edhe dhogës së varrit.
- Je munduar shumë?!
- Munduar, thotë! Kam punuar si skllav dhe më kanë trajtuar si skllav. Një jetë prej skllavi, si në Shqipërinë komuniste edhe në dhe të huaj. Refugjatë të përjetshëm mbetëm ne, çamët, të vuajtur, siç thotë një shprehje, si çifuti në shkretëtirë. Pasi na dëboi greku nga Çamëria, përfunduam një gjysmë shekulli refugjatë në atdheun tonë, në Shqipëri, megjithëse mes njerëzve të një gjaku, shqiptarë mes shqiptarëve. Njëlloj edhe në emigrim, në shtetet e huaja, ku u degdisëm për një jetë më të mirë dhe gjetëm skllavërimin. Eh, jetë ferri! – shfryu dëshpërimthi Namiku.
Unë heshta i stepur, i pagojë përballë atij ferri të mbidheshëm që kujtonte miku im. Ferr këndej dhe ferr andej, sikur kjo jetë paskësh qenë vetëm për ata. Pushoi një hop edhe Namiku, pastaj filloi të rrëfente detaje të jetës në emigracion, për revoltën që ndrydhte në shpirt me mendimin të fitonte sadopak dhe të kthehej për t’i investuar pranë shtëpisë së tij, në Shqipëri.
Rebelimin, netëve në dheun e huaj, e shndërronte në vargje poezish: Deti rreh egër brigjet e Shqathos (një ishull i Greqisë) dhe unë këtë tokë me grusht e godas. Kam të drejtë njëqind herë më shumë se Dari i Persisë, që urdhëroi detin ta rrihnin me kamzhik, pas disfatës, kur humbi gjithë flotën në betejën e lashtë greko-persiane të Dardaneleve. Dëgjoj vajin e nënave shqiptare që qajnë telefonave për bijtë, që treten këtyre brigjeve të dheut të huaj. Vaji i tyre është njëmijë herë më i dhimbshëm se i Hekubës për djalin e saj, Hektorin, vrarë prej Akilit…
Ky ishte, pak a shumë, thelbi i njërës prej vjershave, ashtu siç ma zuri veshi mua, në atë atmosferë rrëqethëse të krijuar prej atij rrëfimi trishtues.
Namiku vazhdonte të fliste dhe mendja ime, e intriguar prej dëshmive të tij, vorbullonte e dallgëzonte një mllef të paparë ndaj politikës servile që ndiqte shteti ynë, me shtetet fqinjë, i drejtuar nga ata. Dhe tek imagjinoja se sa i pafuqishëm është njeriu në vendin tonë, këlthisja me vete: "O Zot, mbroji shqiptarët e varfër!"
- Edhe në Itali, vështirë, si në Greqi, për ne shqiptarët, - turfullonte Namiku.
- Vështirë?!
- More, si të ishim të mallkuar!
- Çudi!
- S’ka çudi, derisa na udhëheqin po ata.
- Po ata! Dikur, dje dhe sot…
- Edhe nesër, miku im, në jetë të jetëve, po ata.
- Ne dhe ata! Ata dhe ne. Një det i madh përçmimi midis. Nuk ka për të bërë krye kurrë ky vend, - psherëtiva pesimist.
- Kurrë! Ne punojmë dhe ata, të pandershmit, përfituesit, mashtruesit, mafiozët shfrytëzojnë gjithçka, njëmijë mënyra e marifete për ta mbajtur të zaptuar këtë vend. Korrupsion i gjallë Shqipëria, or mik!… Nuk e ngre më kot ndonjëherë zërin bota… Më kupton?… Të pandershmit dinë të paguajnë, t’i hedhin lumë milionat e fituara pa djersë, të korruptojnë, jo shaka… Dhe këtë e bëjnë për të patur superfitime, për pasuri e për pushtet, për të gllabëruar gjithçka, si oktapodi prenë e vet… I kanë blerë, i kanë të tyret të gjitha pushtetet: Legjislativin, Ekzekutivin, Gjyqësorin dhe Shtypin… Kudo të dalin përpara ata… E ku të ankohesh?!… Unë mbahem gjoja për biznesmen, po të them të vërtetën nuk shoh askund konkurencën e ndershme, bashkëpunimin e bizneseve, siç pretendojnë… Nuk e dalloj dot as tutje në horizont atë shoqëri demokratike që ëndërrova… Mos harro, unë një jetë të tërë i persekutuar, or mik!… Ne mezi rrojmë dhe ata çuditërisht pasurohen në kurrizin tonë… Ne skllevërit dhe ata padronët… Na rroftë intelektualiteti, ne!… Ata nuk kanë nevojë për të qenë as të fortë fizikisht e as të mençur. U mjafton fuqia dhe mençuria jonë. Ata vetëm prijnë dhe nuk duan t’ia dinë se mund të na hedhin edhe në greminë. Vdesim ne, jo ata!… Ke parë kështu ti?! – brofi Namiku.
- Eh!… Zoti na shpëtoftë nga ata! – ofshava.
- Mbase, në botën tjetër! - tha prerë Namiku, me një ton lemerisës.
- Botë e keqe! – mërmërita.
- E keqe thua?!… E çmendur fare!… Mos pyet si sillet bota me shqiptarët e varfër… Siç sillej ish-diktatura, në mos gaboj… Nuk e di nëse liderët e atyre vendeve që thonë se na duan, do t’i kthejnë sytë ndonjëherë nga ne, të na shohin si të nënës, jo si të njerkës, - tha mëdyshas Namiku.
- Jo! – i thashë. – E pse ta bëjnë këtë?! Nuk besoj se janë Krishtër e as budallenj… Ta them me siguri matematike: bota nuk do t’i kthejë kurrë sytë nga ne, shqiptarët. Ne do t’i kemi sytë kurdoherë te bota…
- Atëherë, mbase na duhet të ndreqemi njëfarësoj me veten, me njëri-tjetrin. Ta njohim, ta ndihmojmë, ta duam, ta respektojmë shoku-shokun, pastaj t’i kthejmë sytë nga bota… Mund të arrihet diçka e tillë? - filozofoi Namiku me vështrimin ëndërrues të tretur diku brenda qenies.
- Naivitet, utopi, ëndërr… Sheh ëndrra me sy hapur, or mik!… Teorikisht, po! Në praktikë: ne dhe ata, djajtë politikano-biznesmenë që kanë uzurpuar Shqipërinë!… A nuk the më parë kështu?… Ne të përçarë, ata, grusht në kokën tonë… Të paktën gjer tani, sepse ata e kanë bërë për vete edhe Amerikën, edhe Evropën, - theksova i pashpresë.
Po mendoja se edhe lidhjet me botën i gëzonin ata… Diplomacinë e saj e merrnin me të mirë, e përkëdhelnin, i premtonin e ç’nuk i premtonin dhe luanin me të si të ishte kukulla e tyre, kur mundeshin… Dhe kur bota u zemërohej lajkave e mashtrimeve që i bënin, përuleshin, përgjunjeshin e luteshin me frikë e servilizëm, si të gjithë besimtarët e rremë para idhujve të tyre…
- Po qe kështu, vazhdo të ruhesh nga ata… Nuk do të t’i falin as shkrimet kundër, - qeshi Namiku.
- Mundet, - qesha edhe unë.
Ndërkohë tryeza ishte shtruar në dhomën tjetër. U ulëm ballas.
- Verën e ke të kuqe, siç e dëshiron. Verë Delvine, Leskoviku apo nga Tushemishti i Pogradecit, parajsa e vockël tokësore e ngritur mbi burime uji të mrekullueshëm. Ta dish, ma kanë dërguar Tit Tasellari me Nuçin, miqtë e mi, nga viset e Lasgushit e Mitrushit, - u krekosa gjithë humor.
- Mor, të gjitha llojet do t’i provoj.
- Edhe rakinë?! – e ngava. – Kemi përpara raki rrushi Konispoli, Përmeti, Skrapari dhe raki mani nga Boboshtica e Korçës. Kemi vodkë Ukraine, shampanjë Marseje, disa lloje birrash, uiski e më the të thashë nga bota.
- Kështu bollëk paçim përherë! Dhe bota na paftë me sy tjetër! Gëzuar! Unë me verë. Dhe plaçin ata! - tringëlliu gotat Namiku.
- Gëzuar, or mik! Dhe suksese edhe në krijimtari, si në biznes, - e urova.
Ai e ktheu me fund dhe iu turr mishit të qingjit ardhur nga Gramozi i Kolonjës. Ishte hamës, jo shaka, si gjithë njerëzit e punës. Unë e nxisja t’i shijonte tërë llojet e ushqimeve dhe pijeve. Ndieja kënaqësi tek e shihja me aq oreks, njëlloj si për veten.
- Provo troftën e Bistricës dhe Koranin e rrallë të liqenit të Pogradecit. Edhe krap prej Drinit të Bardhë, edhe ngjalat e Karavastasë, - s’i ndahesha unë.
- Mor, ha për vete ti, se unë i përlava të gjitha të mirat, - qeshte Namiku.
- Jam ngopur unë, po i shijoi dreka mikut.
- Uh, të shijuar! Veç të kisha edhe pak aromë Çamërie! Kishte shkruar një vjershë i ndjeri Bilal me një titull të tillë dhe thoshte pak a shumë:
Ne jetonim atje ku shushurinte osaka,
atje ku lulëzonte lule sparta, spartilja,
jetonim pranë malit ku lulëzonte lofata,
ku sheshet i mbulonte si borë luledelja.
Kur nëna në mbrëmje ngrinte kapakun e kusisë
gjella jonë avullonte erë gjalpi të freskët,
erë dehëse kanelle,
erë mishi qingji të njomë.
Kështu tërë vitin, nga dimri në verë,
vendi ynë ndërronte aromë:
erë dehëse kanelle,
erë mishi qingji të njomë…
- Poezi e Bilalit?! – shpërtheva i paduruar.
- Po, Po! Poezi e tij… Eh!… Ja, ky ishte Bilal Xhaferri… A e kupton se ç’kemi humbur, or mik, me arratisjen e tij?… Dhe nuk e mbështetën si duhet as shqiptaro-amerikanët… Mbase nuk e kuptuan, mbase ishin si ata dhe e shmangën qëllimisht, ku ta dish…
- Poezi e bukur, - vërejta unë.
- Dhe u thashë njëherë shqiptaro-amerikanëve, më saktë njërit, të parit të tyre: "Ua dërguam Bilalin shkrimtar të madh dhe na e kthyet kufomë"... Nuk u erdhi mirë nga fjala ime… Mbase janë si ata…, - shtjelloi Namiku fillin e arsyetimit të vet.
- Mbase janë të një stani me ata, ndoshta vëllezër a ambasadorë që punojnë për ata, s’ka rëndësi… Për mua ajo poezia ishte e bukur, - përsërita.
- "Aromë Çamërie"? E bukur, vërtet. E pabotuar. E kam ruajtur dhe do ta sjell ta botosh në revistë, bashkë me variantin e plotë të poemës "Mjegulla", botuar e pjesshme gjer tani.
- Mrekulli! Sa më shpejt. Edhe tregimet e tua.
- Edhe tregimet e mia. Gëzuar! Dhe ta dish se veç kënga më lypset tani. A nuk ia marrim njëherë, ashtu shtruar, çamiko? - shpërtheu befas Namiku.
- Si të duash, por unë nuk ia them për këngë.
- Eh, mor mik, sa ma trazojnë shpirtin këngët, sidomos këngët e pikëlluara të këtij populli të vuajtur në jetë të jetëve, këngët çame. Mbaj mend se mbrëmjeve e gjer natën vonë, kur ndizeshin yjet, atje në mërgim, në shpirt më flakëronte një mall përvëlues për familjen dhe tërë njerëzit e mirë që kam njohur, për Atdheun. Bile aty në mërgim kam ndier se fjala Atdhe ka një kuptim madhështor. Më përfshinte të tërin nostalgjia dhe e gdhija duke kënduar. Këndoja tërë këngët e pikëlluara. Nuk e di pse, por këndoja e këndoja. Mbaj mend se një mëngjes më thirri pronari i alarmuar dhe më tha se mbrëmë paskësha qarë. Jo, i thashë, kam kënduar. Paske qarë, mor, paske qarë me kuje, këmbënguli ai aq sa u habita edhe vetë dhe mendova se mbase kisha qarë. Mbase kisha qarë tërë ato net, në vend që të këndoja.
- S’është ndonjë çudi. Thonë se njeriu, prej merakut, ndonjëherë qan edhe në gjumë, vetëkuptohet njeriu i mirë, jo ata, - thashë unë me të qeshur.
Qeshi edhe Namiku, duke pohuar se ata nuk i dinë as kuptimin fjalës lot dhe jo të lotojnë. Zakonisht pikëllohen zemrat e ndjeshme dhe jo ata pa zemër.
Vonë, mbasdite dolëm rishtas rrugëve të Tiranës. Dielli ende nuk kishte perënduar dhe halat e gjelbra të pishave shushurinin lehtas prej erës dhe sitnin përmbi ne prarimin e rrezeve. Ashtu, nëpër atë mori grimcash ari që farfurinin ajrin mbrëmësor, ne vazhdonim t’u ngjanim nga pak kërkuesve të atij metali të rrallë, aq të shtrenjtë për ata, të eturit për pasuri e pushtet, megjithëse ishim thjesht kërkues të floririt shpirtëror.
Eh!… Mendova se edhe sikur të bëheshim gjeologë e të zbulonim dikur diku ndonjë minierë ari, pas shumë e shumë stërmundimesh, pasi ta nxirrnim në dritë mineralin e ta përpunonim do ta gëzonin po ata… Do të ishte luksi më i çmuar, më i lakmuar për ata, ish-pushtetarët-shtetarë, ish-spiunët-spiunë dhe tërë ajo tufë mafiozësh e shërbëtorësh të tyre, hajdutë e kriminelë, që tashmë ishin pjesë e politikës shqiptare… Veç telashet do të trashëgonim ne…
Më në fund u përqafuam dhe u ndamë. Si përherë të përmalluar. Premtuam se do të takoheshim më shpesh e më shpesh, derisa të zbulonim atë formulën magjike të alkimisë, që e shndërron gjithçka në ar. Dhe arin do ta bënim dhuratë për ata, veç ne të mbeteshim nga pak të qetë edhe për hallet tona letrare.
- Namik, telefonomë, kur të mbërrish në Durrës, - i bëra zë, kur ishte pranë makinës, megjithëse e dija se do ta rrëmbente puna dhe menjëherë do të më harronte.
- Ah, mor mik, do të ma marrë shpirtin puna mua, jo Zoti. Ta dish, që tani po të harroj. Sa hypi në furgonçinë dhe si me magji më mbysin andrrallat, ma zë frymën puna dhe i harroj të gjallët. Jetoj veç për ato dreq sende, që vërtet më sjellin të mira materiale, por ma hanë shpirtin…
- Kujdes se mos përfundosh si ata, - e shpotita.
- Si ata?! Mbase… megjithëse e di me siguri se nuk më pranojnë përkrah. Si te ai tregimi i Hazis Nesinit, humoristit të shquar turk. E ke parasysh, besoj, atë personazhin që donte të hynte në mafie… Jemi tjetër brumë, ne! Jemi mbrujtur me aromë Çamërie. Aroma e rrallë e vendlindjes sonë të mrekullueshme, or mik.
- Kujto aromën e Çamërisë dhe telefonomë!
- Do të lidhemi.
- Në tridhjetegjashtë gusht?!
- Patjetër. Edhe po të mos duam ne, na bashkojnë ata. Se ata nuk bëjnë dot pa ne. Kije vath në vesh, - tundi dorën Namiku dhe makina u nis.
Ne dhe ata!… Të ndershmit dhe të pandershmit!… Të pandershmit, kudo nëpër botë… Të pandershmit dhe ajo rrjetë aleancash e padukshme, si rrjetë merimange gjigante ku ka ngecur jeta njerëzore… Aty për aty sesi më vetëtinë në mendje vargjet e një poezie të një poeti çam:
Këtë Tokë,
Njerëzit e ndershëm
E mbajnë mbi supe.
Janë lodhur…
Të pandershmit
Kanë dyfishuar peshën e Globit.
Të ndershmit,
Që nga Atlasi e deri më sot,
Si hamallë ngarkuar,
Ende s’janë shkarkuar
E mendohen, e mendohen…
A ta lënë Globin të bjerë
E të bëhet copë-copë
Apo Globin e të pandershmit
Mbi supe t’i mbajnë ngarkuar?!…
Të ndershmit dhe të pandershmit!… Ne dhe ata… Vërtet, ata nuk bëjnë dot pa ne, m’u kthjellua befas mendimi. Si të kundërtat e një binomi. Dhe detyrimisht unë e Namiku gjithmonë do të jemi ne përballë me ata nëpër vorbullën e asaj shtjellës vigane, korrupsionit, që e ka ngërthyer magjishëm jetën shqiptare… Të pakorruptuarit ballas të korruptuarve dhe korruptuesve…
Tashmë furgonçina ishte zhdukur dhe kisha mbetur midis rrjedhës së mbytur të Lanës dhe rrjedhës trallisëse të makinave që nxitonin e nxitonin dhe më përplasnin në fytyrë smogun: aromë e rëndë benzine dhe nafte të djegur. Trafiku rëndohej vazhdimisht mbrëmjeve në Tiranë. Rëndohej edhe smogu. Megjithatë brenda meje kundërmonte aromë Çamërie…

Shefki Hysa

Wednesday, May 21, 2008

PERANDORIA E IDHUJVE

Vonë, shumë vonë, e kuptova se përballë kisha po Ata. Se më duhej të luftoja me Ata. Nuk e di po atë grimëherë që më vetëtiu në kokë ky mendim dhe i përfytyrova po Ata në piedestalet e dikurshme, me të vetmin ndryshim se sfondi, tanimë, nga i kuq ishte shndërruar - në blu e mandej në një gri mugëtire, vetvetja m'u përqas në trajtën e Sizifit. Dhe sepse më erdhi për të vjellë. Jo, jo nga absurdi i kësaj bote! Më tepër, ndoshta, nga humbja e ekuilibrit a pafuqia e çastit. Në piedestale po Ata! Mantelkuqtë! Tanimë, detyrimisht, me mantele gri, si hija e mallkimit që i rëndonte këtij vendi teksa zhytej në muzgun perandorak që buronte nga shtatoret e idhujve. Idhuj me krena. Idhuj pa krena. Idhuj që i huanin kryet njëri-tjetrit. Idhuj që i vidhnin kryet njëri-tjetrit. Idhuj që i hanin kryet njëri-tjetrit. Idhuj që çarteshin si e si të mbijetonte Perandoria e Piedestaleve. Dhe ajo vërtet po mbijetonte, në këtë vend shpatullthyer nga pesha e piedestaleve...

Uuuaaaëëëkkk, m'u mblodhën rropullitë në grykë. U përkula si prej peshës së tyre, buzë ujërave të Lanës dhe ashtu gojëhapur, jo pa tmerr e dhembje, prisja të shihja një rrokullimë makabre: stomak e zorrë që turreshin tatëpjetë si guri i Sizifit. Mirëpo asgjë për t'u shqetësuar, veç ca shkulmesh vreri që shpërthyen përmes buzëve e hundës sime. M'u errën sytë, m'u fik vështrimi, një hop, si të qe intonuar me mugun perandorak.

Pastaj, ashtu si nëpër gjysmëterr, pashë ujërat e Lanës të rendnin dallgë-dallgë turbullt e më turbullt, të fryra e të ngjyrosura prej vrerit tim. Një vërshim ujërash i beftë e marramendës, si të qenë përmbledhur nëpër shtratin e Lanës rrëketë e panumërta të një rrebeshi të egër që i qe turrur egërsisht kryeqytetit, Tiranës, e mbarë Shqipërisë - Perandorisë së Idhujve. Ujërat verdhashë, një rrëmbim i frikshëm lëtyrash të skëterrshme, fërshëllenin tani, në sytë e mi, e unë kurrsesi s'mund ta besoja që vreri i brendisë sime të ishte kaq i përbindshëm, të kishte forcën çudibërëse të erërave të çliruara prej kacekut të Eolit apo kapriçiot e tërbuara të dhjetëra xhindeve të lëshuara njëherësh nga amforat e përrallave të njëmijë e një netëve arabe. Jo, kurrsesi jo! Po lajthisja prej habisë. Megjithatë duhet të qe ashtu. Apo, mos vallë, të tjerë të zhgënjyer, si dhe unë, ndërsa zhgërryheshin, përbri Lanës, shpërthyen njëkohësisht vrerin e neverisë ndaj amëshimit të Perandorisë së Idhujve?! Ndryshe nuk ka si shpjegohet fryrja e jashtëzakonshme e Lanës.

Ujërat e saj verdhanë, ashtu të rrëmbyer, mbushën shtratin e zunë të derdhen brigjeve për të mbytur, pas pak, bulevarde e trotuare e më tutje u ndrynë kërcënues nëpër të gjitha sheshet dhe lulishtet e Tiranës, në të gjitha institucionet, aty ku ngriheshin piedestalet.

Sakaq Tirana, duke filluar që nga "Dajti" e në ngrehinën e Parlamentit, në sheshin "Skënderbej" e, më tej, përqark "Lidhjes së Shkrimtarëve" e "Lidhjes së Gazetarëve" në njërën anë, kurse në tjetrën duke përfshirë Presidencën, Pallatin e Kongreseve, hotel Rognerin, selinë e Qeverisë dhe të partive të ndryshme politike; po përjetonte e shushatur grimasat e një katastrofe biblike. Mos vallë kaq e pat Perandoria e Idhujve?! Mos ia kishte behur kështu fundi i saj, për t'u zhytur njëherë e mirë, kokangulthi, në muzgjet e paanë ku qe rroposur edhe ish Perandoria Bizantine?!... Cili do të qe Noeja i ri që do të bartte me barkën e vet, nëpër vorbullat e zemëruara, farën e idhujve të së ardhmes së kësaj perandorie?!... Patjetër ndonjë nga ata të flirteve të "Dajtit"... Sepse nëpër kryet e tyre e kanë kurdoherë zanafillën profecitë e së ardhmes të kësaj perandorie të krisur e restauruar me dhjetëra e dhjetëra herë... Patjetër një nga falltarët politikë të "Dajtit"... të "Rognerit"...

Vrulli i ujërave më kishte përplasur edhe mua si një lëvere mbi një bllok prej mermeri e betoni që mundohej të sfidonte dallgët larashe. Ende i hutuar prej atij fluturimi, si me magji, dhe prej dhembjeve që më shkaktonin brinjët e shkallmuara nëpër këmbët e piedestaleve, prej brigjeve të Lanës e gjer mbi kreshtën e asaj tumule, ku mezi mbahesha, nuk isha në gjendje të orientohesha.

Vetëm pak çaste më vonë, kur sytë më shkanë padashur mbi monumentin e paepur të kryetrimit Skënderbe, majë kalit të vet legjendar, kuptova me tmerr se kisha ngecur mbi piedestalin bosh të ish Diktatorit. Rreth e rreth veç valë të furishme ujërash.

Skënderbeu madhështor, mbi kalln e vet, sikur nxitonte të më shpëtonte prej ngurtësimit mbi piedestal. Ç’llahtarë! Unë një shtatore e gurtë që do të më zvarriste koha prej atij piedestali, siç zvarriti edhe të zotin e tij?! Skënderbeu atje tej matej me rrjedhat, kurse unë...

O Zot, më shpëto nga kjo e keqe! Mos më shndërro, moj kohë, në shtatore… Nuk i përkas racës së idhujve! Kështu klithja në vetvete dhe ëndërroja që ato valë, që rastësisht më lanë në atë piedestal famëkeq, të më flaknin qoftë edhe në ferr, veç larg, sa më larg piedestaleve.

Befas më rrokën duart e dikujt… Ishin dy, katër... shumë duar që ngriheshin prej botës së nënujshme që mbulonte Tiranën. Duart mundoheshin të më shkulnin me forcë prej piedestalit ndërsa ca zëra nënujorë ngrenin stërkala lëtyrash e gurgullonin:

- Jam Dullë Baxhaja, shumëduarshi, shumëzërshi, shumëfytyrëshi, shumipadukshmi, shumikudondodhuri! Dëgjon?! Jam Dulla, shpirti i Dullës së Madh, Dullës që jeton e do të jetojë në shpirtrat e sa e sa Dullëve që do të dalin prej idhujve për të zënë piedestalin e Kryeidhulllt të kësaj perandorie! Dulla është gjallë. Do ta zërë përsëri këtë piedestal, nëpër këtë muzg gri, me mantelln gri... Larg, sa më larg këtij piedestali, ti, grimcë njerëzore… krijesë idhujsh... ti, hiç!…

Ndjeva trupin të më pllaquriste rishtas nëpër dallgët e rrëmbyera. Më kishin flakur larg piedestalit shërbëtorët e Kryeidhullit të ri të perandorisë. As të ngushëllonte dhembjen s'arrinte dot njeriu i thjeshtë pranë atyre ishujve lavdie, pronë idhujsh. Piedestalet kërkuakan vetëm përulje, vetëm adhurim, qofshin edhe bosh, mendoja tek kacafytesha me valët.

Shqipëria është perandoria më fatkeqe në botë. Është një perandori e vogël idhujsh të mëdhenj që pjellin të tjerë idhuj... O Zot! Sa pakës vend zënë njerëzit në këtë vend!... Sa e papërfillshme është hapësira e lirisë së tyre në krahasim me madhështinë e idhujve... Njerëz të robëruar prej idhujve... Njerëz që gëzojnë të vetmin privilegj: adhurimin e verbër të idhujve...

O Zot! Mjerë ne shqiptarët dhe Shqipëria-Perandoria e Idhujve të Pavdekshëm! Kështu klithja gjer në kupë të qiellit, po çuditërisht zëri im zhbëhej në akustikën e ngrehinave të kulteve të idhujve që shkëlqenin gjithandej... Përkundër zërit tim të vdekur kumbonte jehona e zërave të korit të besimtarëve idhujtarë, që shumëfishohej pambarimisht...

Dalëngadalë po kuptoja se vlerat njerëzore nuk e kishin më rëndësinë e tyre në këtë perandori. Po veniteshin përballë shkëlqimit të idhujve. Nëpër ajër mund të nuhatje vdekjen... Tani e tutje Perandorinë e Idhujve mund ta quaje pagabuar edhe Perandori e Vdekjes...

Shefki Hysa